Tash e një javë, serbët e shqiptarët në Mitrovicën Veriore janë urdhëruar që të izolohen, ta kufizojnë lëvizjen dhe ta organizojnë jetesën në një mënyrë më ndryshe nga çfarë përcaktojnë vendimet e Qeverisë e Kosovës kundër pandemisë së koronavirusit.
ka siguruar vendimin e Shtabit të Mitrovicës Veriore për Gjendje të Jashtëzakonshme, i cili përmban një sërë masash të ndërmarra për parandalimin e koronavirusit, përkitazi me vendimet e Qeverisë së Serbisë.
Qysh në krye të këtij vendimi theksohet se masat janë marrë konform instruksioneve nga qeveria në Beograd.
“Shtabi Komunal për Gjendje të Jashtëzakonshme i Komunës Kosovska Mitrovica, në mbledhjen e mbajtur më 01.04.2020, në pajtim me vendimet e Qeverisë së Republikës së Serbisë, merr masat në vijim me qëllim të mbrojtjes, luftimit, shuarjes së epidemisë të virusit korona, caktohet orari i ri”, thuhet fillimisht në vendim.
Tetë masat e përshkruara në dokument specifikojnë kufizime e ndalesa të ndryshme, orar të funksionimit të dyqaneve të shitjes, orar të lëvizjes së qytetarëve, e deri te ulja e flamurit në gjysmë-shtizë në të gjitha institucionet e kësaj komune.
Sipas këtij vendimi është përcaktuar orari i ndalimit të lëvizjes së qytetarëve nga ora 17:00 deri në 06:00, ndërsa dy ditëve të fundit të javës nga ora 15:00 deri në 06:00.
Ky vendimi urdhëron dyqanet e shitjes me pakicë që të punojnë gjatë ditëve të punës nga ora 07:00 deri në 15:00, ndërkaq të shtunave dhe të dielave nga ora 07:00 deri në orën 13:00. Të dielave, dyqanet e shitjes me pakicë urdhërohen të punojnë për të moshuarit mbi 65 vjet prej orës 06:00 deri në orën 08:00.











