Verratti fton Messin te PSG: Do të ishte “dhurata” e radhës që më bën futbolli

PSG vazhdon të këmbëngulë në misionin për të rrëmbyer nga Barcelona Lionel Messin. Edhe pse te Barça këmbëngulin se të flasësh për Messin, kur është nën kontratë me “blaugranat”, do të thotë mungesë respekti për klubin katalan, nga Parisi vazhdojnë të vijnë deklarata në lidhje me yllin argjentinas. E fundit në radhë, nga Marco Verratti.

Mesfushori italian, tanimë një ndër veteranët e klubit parizien, në deklaratën e tij përsëriti atë që kanë shprehur më parë Leonardo, Di Maria dhe Pochetino dhe natyrshëm, kush nuk do të donte të kishte në skuadrën e tij 6 herë fituesin e Topit të Artë.

Natyrisht që do të më pëlqente të luaja me Messin. Do të ishte diçka e mrekullueshme ta kemi në skuadër, për mua do të ishte dhurata e radhës që më bën futbolli. Thjesht do t’i jepja topin Neymarit apo Messit dhe do të rrija pas për t’i parë”.

Nga ana tjetër, nga Barcelona nuk ka të reja për rinovimin e kontratës së Messit. Diçka normale, duke qenë se zgjedhjet presidenciale të parashikuara për në janar u shtynë për në mars për shkak të pandemisë. Situata me Covid-19 në Spanjë është në përmirësim, ndaj në Katalunjë shpresojnë që të mund të procedojnë normalisht me procesin elektoral, edhe pse koha shtrëngon.

Një tjetër shtyrje mund të bëjë që “blaugranat” ta humbasin përfundimisht Messin, pa mundësinë për të formuluar një propozim, duke provuar që ta mbajnë në “Camp Nou”. Ndërkohë, PSG po studion propozimin e saj për argjentinasin. Duke parë detajet e kontratës të numrit 10, që dolën në media prej pak ditësh, ndoshta parizienët mund të ofrojnë më shumë nga sa parashikonin. Ëndrrat nuk kanë çmim, paratë në “Park de Princes” nuk mungojnë.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu