Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, kandidati për kryeministër, Albin Kurti u shpreh i vendosur se marrëdhëniet me Serbinë, pas zgjedhjeve do të ndërtohen vetëm mbi bazën e reciprocitetit. “Marrëdhëniet me Serbinë do të ndërtohen mbi reciprocitet madje mbi bazën e kaluarës së afërt e cila ende nuk është mbyllur. Gjithçka duhet të nis me dokumentimin dhe adresimin e dëmeve të luftës, me evidentimin dhe gjetjet e personave të zhdukur dhe ndjekje e dënim të kriminelëve të luftës”, tha Kurti në mbledhjen e fundit të këshillit të përgjithshëm të LVV-së.
Tani pse para shtatë muajsh, LDK-ja si partia kryesore në qeveri largoi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë, tashmë kjo ide po shihet si njëra ndër opsionet më reale ndaj shtetit fqinj.Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së, njëherësh kandidati për deputet nga kjo parti, Faton Bislimi, se në vazhdimësi LDK-ja ka pasur qasje proaktive për dialogun me Serbinë, por sipas tij reciprociteti mund të shfrytëzohet si instrument për të arritur qëllimet e caktuara.
“LDK-ja në vazhdimësi ka pasur një qasje pro aktive të dialogut, ne s’kemi pritur të bëhemi vetëm instrument i pjesëmarrjes në dialog. Por në çdo aspekt edhe në koordinim të ngushtë me partnerët, veçanërisht ShBA jemi munduar që procesin e dialogut të kthejmë në një fazë përmbyllëse të tij dhe rezulton me njohje të dyanshme në mënyrë që çështja e marrëdhënieve tona me fqinjët tanë të rregullohet njëherë e përgjithmonë…reciprociteti është politikë që gjendet në tavolinën e opsioneve dhe mund të shfrytëzohet si instrument për të arritur qëllimet e caktuara.
Unë besoj që LDK-ja ka tregu gatishmërinë e saj që çdo mjet të saj demokratik ta lë të hapur si mundësi e arritjes së qëllimeve të caktuara politike. Këtë rast edhe me Serbinë, pse jo. Ne e kemi parë dhe vazhdojmë të shohim edhe reciprocitetin në kuadër të këtyre mjeteve politike”, thotë ai.
Ndërsa, nënkryetari i AAK-së, Ahmet Isufi thotë, se dialogu me Serbinë duhet të vazhdojë, me njohjen reciproke si temë të vetme në tavolinë.“Ne dialogun e shohim duke qenë në tavolinë ShBA-të si partneri dhe miku i përjetshëm i Kosovës. Ndërsa të tjerët do t’i shohim si partnerë që mundësojnë një dialog të mirëfilltë duke pasur parasysh gjithmonë zgjidhjen finale që është njohja e Kosovës nga ana e Serbisë. Temat tjera mund të diskutohet pas njohjes, por konsiderojmë se njohja është tema e cila duhet të jetë në tavolinë”, thotë ai.
E ligjëruesi i shkencave politike në Universitetin e Prishtinës, Dorajet Imeri dialogun me Serbinë nuk e sheh si temë që pritet të hapet shpejtë pas zgjedhjeve në Kosovë.“Kjo është një temë shumë e rëndësishme, varet nga mënyra si do të ndërtohen institucionet e Republikës dhe përbërja e tyre në periudhën e pas zgjedhjeve. Si temë mund të ri aktualizohet edhe për shkak të faktorit ndërkombëtar. Por kjo varet edhe nga përbërja që do të ketë qeveria e Kosovës dhe nga përbërja e institucioneve të tjera të Republikës. Prandaj për këtë arsye vlerësojë se tash për tash partitë politike nuk kanë ndonjë fokus aty dhe si temë nuk është e hapur dhe nuk pritet të hapet shpejtë”, tha ai.
Vitin e kaluar u zhvilluan një sërë takimesh në Bruksel e Uashington me qëllim të arritjes së marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Mirëpo një gjë e tillë nuk u arritë përveç një marrëveshje zotimesh ndërmjet dy shteteve në Shtëpinë e Bardhë, e cila ende nuk ka filluar të zbatohet.Ndërkohë prej muajit shtator të vitit të kaluar liderët institucional të dy shteteve nuk u takuan, pas kërkesës së palës serbe për të hapur temën e themelimit të Asociacionit të komunave serbe në Kosovë, e cila në mënyrë kategorike u refuzua nga pala kosovare.









