Kryetarja e Parlamentit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se këngët e këngëtares tashmë të ndjerë, Nexhmije Pagarusha, do të mbesin në përjetësi, duke thënë se me to edhe sot po i rrit dy vajzat e saj.
Osmani qe e pranishme në objektin e Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku edhe shprehu ngushëllimet e saj për familjarët e Bilbilit të Kosovës.
Kryeparlamentarja e re tha se këngët e Pagarushës do të mbahen mend gjithmonë, duke theksuar se vajzat e saj rriten me këngët e këngëtares së njohur shqiptare që vdiq dje.
“Kujtimet lidhen drejtpërdrejt me këngët e saj, këngë me të cilat jemi rritur, këngë të cilat kanë kaluar brez pas brezi, këngë me të cilat edhe unë sot i rris dy vajzat e mia”, ka thënë Osmani për Klan Kosovën.
Ajo tutje ka kritikuar legjislaturat e kaluara për moskujdesjen e mjaftueshme ndaj artistëve, duke theksuar që në të ardhmen do të investohet më shumë në art, kulturë dhe në figurat që i kemi shembuj.
VIDEO:










