Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për media pas Samitit të Brdo-Brionit në Durrës, tha se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka tentuar ta prishë takimin, duke u drejtuar me arrogancë e fyerje.
“Si në takimet tjera të Brdo-Brionit, ndoshta në një dozë më të madhe, Vuçiqi i Serbisë iu drejtua Samitit me ofendime e arrogancë, në tentim që ta prishte takimin. Arritëm në fund të miratojmë deklaratën e përbashkët me unanimitet, e natyrisht për çdo propagandë që Vuçiqi synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumentet në anën e së drejtës që janë fuqizuar e mbështetur edhe nga e drejta ndërkombëtare nëpërmjet vendimeve të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë”, ka theskuar Osmani, transmeton “RTSH”.
Osmani ka thënë se Kosova është për bashkëpunim rajomal, por se do ta mbrojë interesin shtetëror, sovranitetin dhe integritetin territorial.
“Edhe pse Vuçiqi kishte ankesa për paktin tonë të marrëveshjes së përbashkët Kosovë, Shqipëri, Kroaci në fushën e mbrojtjes, ai mori konfirmimin tonë të përbashkët që kjo shënon bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë. Përgjigja ime ishte se në tërë historinë e ekzistencës sonë si komb, ne asnjëherë nuk e kemi sulmuar askënd, asnjëherë se kemi pushtuar askënd, por gjithnjë e kemi mbrojtur veten dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë veten dhe integritetin tonë territorial”, tha Osmani. “Aleanca jonë është aleancë për t’u mbrojtur nga rreziqet që vijnë nga të tjerët. Në rastin tonë si Republikë e Kosovës rreziku vjen nga Serbia dhe natyrisht do të vazhdojmë ta fuqizojmë ushtrinë tonë me qëllim që të mbrohet çdo centimetër i territorit të Kosovës dhe liria e fituar me shumë sakrificë e mund”./Koha.net