VMRO-DPMNE nuk do të ketë nënkryetar partie

VMRO-DPMNE nuk do të ketë më nënkryetarë në këtë mandat. Këtë e deklaroi kryeministri dhe lideri i partisë në pushtet në një intervistë për RTVM 1 mbrëmë, përpara mbledhjes së sotme të Komitetit Qendror (KQ) të VMRO-DPMNE-së, në të cilën duhet të zgjidhen anëtarët e rinj të Komitetit Ekzekutiv (KE) dhe sekretar i përgjithshëm i ri.

Nënkryetarët aktualë të partisë – Aleksandar Nikolloski, Vllado Misajllovski, Gordana Dimitrieska-Koçoska dhe Timço Mucunski, sipas njoftimit të Mickoskit, do të propozohen për anëtarë të Komitetit Ekzekutiv.

“Partia nuk do të ketë më nënkryetarë në këtë mandat. Do të ketë kryetar, një sekretar të përgjithshëm dhe anëtarë të Komitetit Ekzekutiv. Natyrisht, nënkryetarët e mëparshëm do të propozohen si anëtarë të Komitetit Ekzekutiv të partisë, plus do të ketë edhe disa emra të tjerë”, tha Mickoski në intervistën e mbrëmshme me RTVM 1.

Në Komitetin Qendror të sotëm, siç tha ai, do të marrin pjesë të gjithë ata që do të jenë pjesë e Komitetit Ekzekutiv sipas Statutit – koordinatori i grupit parlamentar, kryetarja e Unionit të Grave, kryetarja e Unionit të të Rinjve, kryetari i Unionit të Veteranëve, kryetari i partisë, sekretari i përgjithshëm.

“Pra, përbërja e re e Komitetit Ekzekutiv duhet të numërojë diku rreth 29 persona. Pres që afërsisht 20 deri në 25 përqind njerëz të rinj të jenë pjesë e Komitetit të ri Ekzekutiv të partisë”, shtoi Mickoski.

Në kongresin e ardhshëm të partisë VMRO-DPMNE në vitin 2029, siç është njoftuar më parë, VMRO-DPMNE do të ketë udhëheqje të re dhe kryetar të ri.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu