-Në rajonin e SPB-Shkup, për fat të keq është regjistruar një rast më serioz, vrasje. Ku jetën e humbi një shtetas i Turqisë, njoftoi sot ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski gjatë konferencës për shtyp në lidhje me natën e Vitit të Ri, përcjell TV21. Ndërkaq, në raportin e detajuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme, bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur në Çarshinë e Shkupit.
“Më 01.01.2026, në orën 01:11, në SPB-Shkup është raportuar se përpara një objekti të gastronomisë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit ishte shkelur rendi dhe qetësia publike me një përleshje fizike, ku dy persona pësuan lëndime nga një mjet i mprehtë. Policët shkuan menjëherë në vendngjarje dhe u gjetën të lënduar nga mjeti i mprehtë A.M.D. (22) nga Turqia, tek i cili në orën 01:30 mjeku i Ndihmës së Shpejtë konstatoi vdekjen, dhe Ç.E. (23) nga Turqia, i cili u transportua në Kompleksin Klinik “Nëna Terezë” për ndihmë mjekësore. Është njoftuar prokurori publik dhe po ndërmerren masa për zbardhjen e rastit”, thuhet në njoftimin e detajuar të Policisë.










