Kryeministri i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, kishte zgjedhur mediumin gjerman “Frankfurter Allgemeine Zeitung” për të publikuar një opinion rreth dialogut dhe një marrëveshje potenciale me Serbinë, në të cilën përsëri me kryeneçësi refuzon këshillat e SHBA’së dhe bashkësisë ndërkombëtare duke i cilësuar si presion e kërcënim. Vucic e sheh ironike këtë dhe tha se pajtohet me të pasi edhe “Kosova i ishte marrë me dhunë nga NATO Serbisë’.
Në këtë shkrim për FAZ, Kurti ka dërguar një mesazh për amerikanët, duke thënë se një marrëveshje e arritur nën presion dhe kërcënime nuk vlen as sa letra në të cilën do të vihen nënshkrimet. E një qëndrim të tillë të kryeministrit Kurti po e konsideron si shumë të drejtë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic. Sipas tij është e vërtetë që një marrëveshje e arritur nën presion nuk vlen asgjë.
Megjithatë, Vucic e ka shfrytëzuar një thënie të tillë të Kurtit, duke thënë se “asgjë që arrihet me forcë nuk është e vlefshme, siç ishte rasti i agresionit të NATO ndaj Serbisë në rastin e Kosovës”.
Vucic ka thënë se një qëndrim të tillë të Kurtit do ta përsërisë kudo që të shkoj dhe se është “gëzuar shumë kur e ka dëgjuar” dhe do ta përdorë si argument. Tutje kreu i shtetit serb ka thënë se do të presin derisa të hiqet taksa plotësisht, ndërkohë ka potencuar se nuk do të thonë faleminderit për diçka të tillë shkaku i dëmit të madh që i është shkaktuar Serbisë.
Rreth deklaratave të Kurtit për reciprocitetin, Vucic ka thënë se nuk pranon të flasë pasi për të një gjë e tillë është ‘marrëzi’. Ai tha se taksat duhen hequr pasi janë të kundërligjshme dhe shtoi që kosovarët “mos të presin falënderim për këtë”.
Presidenti serb ka treguar ndër të tjera se brenda shtatë apo tetë ditëve do të udhëtojë për në Berlin për t’u takuar me Kancelaren gjermane, Angela Merkel. Në këtë takim ka treguar se do të diskutojnë për problemin e Kosovës duke paralajmëruar se s’do të jenë bisedime të lehta.










