Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vucic, ka thënë se do të shpallë zgjedhjet parlamentare të mërkurën me 4 mars, të njëjtën ditë kur do të kthehet nga vizita zyrtare në SHBA, ku është ftuar nga Komiteti për çështje Publike Amerikan-Izraelit (AIPAC) si pjesëmarrës në konferencën e rregullt vjetore.
Presidenti serb Vucic shtoi se fushata zgjedhore do të jetë e gjatë mbi 50 ditë.
“Kur fushatat janë aq të gjata, nuk ka nevojë për nguti, nuk mund të arrini kulmin e një fushate nëse nuk përpiloni një taktikë për të, të gjithë do të kenë kohë të përgatiten. Shpresoj se lista që i prij të ketë sukses”.
Në Serbi partitë opozitare e kritikojnë presidentin serb për autoritarizëm dhe pengimin e fjalës së lirë dhe mediave dhe kanë kërcënuar dhe disa kanë deklaruar se do t’i bojkotojnë këto zgjedhje. Delegacione të BE’së kishin ndërmjetësuar mes pozitës dhe opozitës serbe për t’i bindur që të arrijnë një marrëveshje para zgjedhjeve. Në Serbi po ashtu ligji zgjedhor është ndryshuar dhe pragu zgjedhor për partitë politike serbe është ulur në 3 për qind nga 5 për qind sa ishte më parë.
Vucic ishte i ftuar në televizionin publik serb RTS para se udhëtonte për Washington e kishte deklaruar se ai do të provoj të fitoj mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare në takimet e radhës e tha se temat kryesore do të jenë qëndrimi i Serbisë ndaj Kosovës, Republikës Serbe në BeH, dhe Kishës Ortodokse Serbe.
“Amerikanët janë gjithmonë kundër Kishës Orotodokse Serbe. Europianët do të shtiren si të pa shkathtë dhe të kërkojnë të flasin sa më pak për popullin dhe etninë serbe…Nuk po kërkojmë një Serbi të Madhe. Ajo që po kërkojmë është që serbët të kenë të drejtat e tyre të garantuara popujve tjerë, për shembull shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut” tha Vucic.










