Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka ndezur polemika të forta pas deklaratave fyese ndaj eurodeputetëve të Partisë së Gjelbër Evropiane, të cilët i quajti “fundërrinat më të këqija”.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur Serbia po përballet me muaj të tërë protestash masive antiqeveritare.
Në Parlamentin Evropian është zhvilluar një debat mbi demokracinë në Serbi, ku disa eurodeputetë propozuan rishikimin e mbështetjes financiare ndaj Beogradit, ndërsa opozita serbe i kërkoi BE-së vendosjen e sanksioneve për përfaqësuesit e qeverisë.
Pas kritikave, Vuçiç u tërhoq pjesërisht, duke pranuar se ndoshta gaboi në fjalorin e përdorur, por shtoi se për eurodeputetët e përmendur mendon “shumë më keq”.
Deklaratat e tij u quajtën tronditëse nga Jellica Miniç e Lëvizjes Evropiane në Serbi, e cila tha se kjo është një “pikë kthese” që mund të sjellë pasoja konkrete për marrëdhëniet mes Serbisë dhe BE-së.
Kriza politike në vend shpërtheu pas shembjes së një strehe të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 16 persona. Studentë dhe qytetarë të shumtë kanë udhëhequr protesta të vazhdueshme, duke kërkuar llogaridhënie nga autoritetet.
Protestuesit akuzojnë policinë për përdorim të forcës së tepërt gjatë shpërndarjes, gjë që mohohet nga autoritetet.
Ngjarja ka rritur presionin mbi Vuçiçin, ndërkohë që Bashkimi Evropian pritet të vendosë për hapat e ardhshëm në raport me Serbinë.