Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç, gjatë një takimi me përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes dhe ushtrisë serbe foli mbi rreziqet që i kanosen vendit të tij dhe se çfarë duhet të bëjë Serbia për tu kujdesur për veten.
“Ju e dini se çfarë problemesh kemi në Kosovë dhe Metohi, ne gjithashtu kemi probleme të tjera rajonale, së bashku me problemet e llojit të tretë, të cilat kanë të bëjnë me mosmarrëveshjet gjeopolitike të fuqive të mëdha dhe ku ne shpesh jemi vendi rreth të cilit interesat e tyre përplasen”, tha Vuçiç, citojnë mediat e Beogradit.
“Në lidhje me këtë, Serbia duhet të kujdeset për veten e saj”, vijoi Vuçiç teksa i përgjigjej gazetarëve në Shtëpinë e Gardës “Topcider”.
Presidenti serb paralajmëroi do të ketë investime të mëtejshme në ushtrinë serbe dhe sistemin e mbrojtjes, si dhe rritje të konsiderueshme të të ardhurave për anëtarët e ushtrisë gjatë këtij viti.
“Këtë vit do të ketë rritje të mëdha të pagave për ushtarët, nënoficerët dhe oficerët, me një rritje prej pesë përqind nga fillimi i vitit, do të ketë një shtesë prej 10% për nënoficerët, dhe rritja totale për ushtarakët do të jetë ndërmjet 9.8 dhe 17.6%”.
Sipas Vuçiç, në takimin ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Nebojsha Stefanoviç, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Milan Mojsiloviç, u diskutuan të gjitha mundësitë e rrezikimit të Serbisë.
Sipas tij, gjatë vitit të kaluar është punuar për rritjen e gatishmërisë luftarake, për blerjen e armëve dhe pajisjeve më moderne, nga pacinra S1 deri te mjetet ajrore pa pilot.
“Në takim, ne kemi analizuar të gjitha kërcënimet e mundshme ndaj sigurisë së Serbisë dhe kemi diskutuar të gjitha të drejtat dhe veprimet taktike gjeostrategjike dhe ushtarake në rast të agresionit kundër vendit tonë dhe sa forca mund të jenë të gatshme brenda 24 orëve, cilat janë rezervat e mjeteve ushtarake, ushqimit dhe gjërave të tjera”, theksoi Vuçiç.
Sipas presidentit serb, ushtria e vendit të tij po bëhet gjithmonë dhe më e fortë.









