Presidenti serb Aleksandar Vuçiq të dielën shpërtheu ndaj Bashkimit Evropian për refuzimin e eksportit të pajisjeve mjekësore në Serbi në kohën e shpërthimit të pandemisë së koronavirusit.
“Solidariteti evropian nuk ekziston. Kjo ishte një përrallë në letër”, tha Vuçiq pasi shpalli gjendje të jashtëzakonshme në vendin e tij.
“Ndërsa sot, siç e dini, ne as nuk mund të importojmë mallra, sipas vendimeve të Bashkimit Evropian. Ursula von der Leyen e tha këtë pak kohë më parë, se ne nuk mund të importojmë pajisje mjekësore nga vendet e BE-së.”
Vuçiq tha që për shkak se Serbia nuk ishte në gjendje të sillte pajisje mjekësore nga BE, vendi mund të kërkonte vetëm ndihmën e Kinës. Presidenti i kërkoi Kinës të dërgonte gjithçka, përfshirë edhe mjekë, sepse mjekët vendas tashmë janë të lodhur, tha ai.
“Ne do t’i lusim qytetarët kinezë që të vijnë dhe të na ndihmojnë me gjithçka”, tha Vuçiq.
Bashkimi Evropian ka vendosur ndalimin e eksporteve të pajisjeve të caktuara mjekësore për vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Evropian, duke i detyruar shtetet jo-anëtare të BE-së që të përpiqen të ruajnë furnizimet mjekësore, shkruan InfoShqip.com
Von Der Leyen në Twitter ka thënë se: “Mallrat e tilla mjekësore, pajisjet mbrojtëse, mund të eksportohen në vendet që nuk janë pjesë e BE-së vetëm me një autorizimin të qartë nga krerët e BE-së. Kjo është gjëja e duhur që aktualisht duhet bërë sepse kemi nevojë për ato pajisje për sistemet tona të kujdesit shëndetësor.”
Serbia ka konfirmuar 55 raste të koronavirusit pa vdekje të hënën, sipas New York Times. Sidoqoftë, vendi njoftoi një gjendje të jashtëzakonshme të dielën dhe mandatoi një karantinë 14-ditore për të gjithë shtetasit serbë dhe banorët e huaj që ktheheshin nga jashtë, duke ndaluar hyrjen e kujtdo që nuk është i autorizuar të jetojë dhe të punojë në vend.
Vendet e Bashkimit Evropian përfshirë Italinë, Francën dhe Spanjën kanë imponuar bllokime në mënyrë që të parandalojnë përhapjen virusit./InfoShqip.com
Video:










