Vuçiç shpërthen sërish ndaj gjyqtarëve e prokurorëve: Paguhen nga jashtë për të liruar protestuesit
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç ka dalë sërish me deklarata skandaloze dhe sulme të drejtpërdrejta ndaj sistemit të drejtësisë në vend, duke akuzuar gjyqtarë dhe prokurorë se “janë në anën e protestuesve” dhe se “marrin para nga jashtë” për të liruar studentët dhe qytetarët e arrestuar gjatë demonstratave.
Në një intervistë për televizionin pro-qeveritar “Pink”, Vuçiç përdori gjuhë kërcënuese ndaj drejtësisë, duke i akuzuar ata që nuk i shërbejnë verbërisht pushtetit të tij se “janë të korruptuar nga OJQ-të e huaja” dhe se “po punojnë për shkatërrimin e shtetit”.
“Këta njerëz nuk e bëjnë punën e tyre. Shihni nga paguhen, përveç pagave që u japin qytetarët, ata marrin para nga jashtë për të liruar ata që sulmuan policinë. Nuk është sekret”, tha Vuçiç, duke i trajtuar gjyqtarët dhe prokurorët si armiq të brendshëm.
Këto deklarata përforcojnë edhe një herë kontrollin autoritar që ai kërkon të ushtrojë mbi institucionet, ndërsa paralajmëroi ndryshime të mëdha në gjyqësor “sapo të ndryshohet Kushtetuta”, duke dhënë një mesazh të hapur presioni ndaj pavarësisë së drejtësisë.
Në të njëjtën kohë, Vuçiç u viktimizua para opinionit publik duke thënë se shteti ka shpenzuar 50 milionë euro për sigurimin e protestave, të cilat ai i quajti “kriminale” dhe “tubime të paligjshme”. “Me këto para mund të kishim ndërtuar një spital në Serbi, por jo, na u desh të siguronim budallallëkun e tyre”, tha ai, duke fyer protestuesit dhe duke justifikuar represionin.
Presidenti serb përpiqet t’i paraqesë qytetarët që dalin kundër tij si “ekstremistë” dhe “pjesë e një revolucioni me ngjyra të sponsorizuar nga jashtë”, duke përdorur një retorikë të rrezikshme për të delegjitimuar çdo opozitë dhe duke hedhur në shënjestër edhe shoqërinë civile.
Në Novi Sad, ku pati përplasje të forta mes policisë dhe protestuesve, Vuçiç raportoi rreth 7,000 pjesëmarrës, ndërsa në nivel vendi përmendi rreth 9,300 qytetarë. Sipas tij, këto protesta nuk do të sjellin asgjë, por vetëm “kaos dhe dështim”.
Me sulmet e fundit, Vuçiç jo vetëm që synon të frikësojë sistemin e drejtësisë, por edhe të mbjellë frikë tek qytetarët që guxojnë të protestojnë. Kritikat e tij shihen gjerësisht si një përpjekje e hapur për të konsoliduar pushtetin dhe për të goditur çdo zë kundër.