Presidenti serb Aleksandar Vuçiq njoftoi se nga e marta rafineria NIS në Pançevë do të ndalojë prodhimin, pasi Shtetet e Bashkuara nuk pranuan të zgjasin licencën e punës për kompaninë, e cila është nën sanksione për shkak të pronësisë ruse.
Vuçiq tha se Serbia duhet të përgatitet për “një situatë të vështirë”, por siguroi qytetarët se shteti ka burime dhe zgjidhje për të menaxhuar pasojat. Ai shtoi se do t’i kërkojë sërish Uashingtonit rishikimin e vendimit, por nuk pret një ndryshim.
Kreu i shtetit theksoi se Beogradi ka ofruar garanci për ndryshimin e pronësisë në NIS brenda 50 ditësh dhe se vendi do të duhet të kërkojë alternativa nëse marrëveshja e furnizimit me gaz nga Rusia nuk zgjatet.










