Ministri i Mbrojtjes së Serbisë, Aleksandar Vulin thotë se është “i lumtur” që zëdhënësi i shefit të diplomacisë evropiane, Peter Stano, iu referua rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara 478, e cila i referohet konfliktit në Lindjen e Mesme.
“Kjo sigurisht do të thotë se ka pasur një kthesë në politikën e BE-së dhe se Rezoluta 1244 e Këshillit të Sigurimit të KB do të jetë tani e tutje parimi udhëzues i politikës së BE kur bëhet fjalë për problemin në Kosovë,” tha Vulin në përgjigje të deklaratës së Stanos ku i kërkohet Serbisë që të mos e transferojë ambasadën në Jeruzalem.
“Serbia është një vend i pavarur dhe derisa BE të bëhet më e pasur me anëtarësimin e Serbisë në të, Serbia nuk duhet të përmbahet në çdo pozicion të BE-së, ashtu si çdo anëtar i BE-së nuk duhet të njohë të ashtuquajturën Kosovë”, shtoi ai.










