Zjarrfikësi Rade Shakotiç u bë viral në rrjetet sociale pas një veprimi, ku ai hyn në lumin e akullt Drina, ulët në një “VW Golf 7” të zhytur në ujë, ndez makinën dhe e nxjerr nga lumi, përcjell TV21. Ngjarja ndodhi dje, 6 janar, në Zvornik, Bosnjë e Hercegovinë.
Për shkak të rritjes së nivelit të lumit Drina, shumë automjete mbetën të bllokuara dhe uji doli shpejt nga shtrati i tij duke rrëmbyer gjithçka. Ekipet e zjarrfikësve u dërguan menjëherë në vendngjarje, por pamja ishte shokuese – katër automjete përfunduan në ujë.
“Lumi Drina kishte dalë nga shtrati, ne shkuam në vendngjarje. Pamë tre katër makina në parkingun e qytetit. Uji i mori katër automjetet, dy nuk shpëtuan, një e shpëtuam dhe në të katërtin hyra unë”, tregoi Shakotiç për “24sata”.
Në kushte të vështira, me rrjedhë të fuqishme dhe nivel të lartë uji, Shakotiç pa shumë mendim u ul në veturën “Volkswagen Golf” që ndodhej në lumë. Pasi pronarja e makinës i dha çelësin, ai i dorëzoi kolegëve telefonin dhe sendet personale dhe hyri në automjet.
“Nuk e mendova fare të mos shkoja për të. Kur erdhi pronarja dhe më dha çelësin, hyra menjëherë në makinë”, tha zjarrfikësi, i cili ndezi motorin vetë dhe e nxori makinën nga lumi i ftohtë.
Fatmirësisht, gjatë gjithë ngjarjes nuk pati të lënduar. Makinën ishte me targa boshnjake, dhe pronarja, sipas Shakotiç, ishte një vajzë që e falënderoi shumë pas gjithë ngjarjes.
“Thjesht po bëja punën time,” përfundoi modestisht zjarrfikësi, veprimi i të cilit tashmë po përshkruhet si një legjendë e vërtetë e zjarrfikësve.










