Nënkryetari Ekzekutiv i Këshillit Atlantik të Shteteve të Bashkuara, Damon Wilson ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë pa një marrëveshje do të jetë më e keqe.
Wildon duke folur në organizimin e CEAS, në kuadër të Javës së 8-të të Beogradit të NATO-s, ka folur për dialogun mes dy vendeve, duke thënë se e ardhmja e Kosovës dhe Serbisë varet krejt nga një marrëveshje paqeje mes Prishtinës dhe Beogradit.
”Në këtë moment, përkundër sfidave me të cilat përballemi, është koha të jemi të guximshëm dhe të ndërmarrim rreziqe. Ne duhet të kuptojmë se e ardhmja e Serbisë është e bllokuar pa një marrëveshje dhe se përfitimet e partneritetit tonë nuk mund të realizohen plotësisht pa të. E ardhmja e Kosovës është edhe më e keqe pa një marrëveshje të tillë”, tha Wilson.
Wilson po ashtu ka thënë se Rusia e di se çështja e Kosovës është sfidë për marrëdhëniet midis Serbisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian.
Ai po thotë se Rusia po pengon Serbinë të arrijë marrëveshje me Kosovën dhe po thotë se rusët për këtë kanë edhe një strategji.
“Rusia e di se çështja e pazgjidhur e Kosovës është sfidë për marrëdhëniet midis Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian”, tha Damon Wilson. Shohim se strategji e Rusisë është të ruajë status quo-në. Status quo-ja e minon aftësinë e Serbisë për të hyrë në negociata serioze, për të përmirësuar marrëdhëniet me Prishtinën”, tha Wilson.










