Granit Xhaka nuk është pjesë e skuadrës së Arsenalit që ka udhëtuar drejt Mançesterit për t’u përballur me Manchester Cityn në ndeshjen derbi të kësaj jave në Premierligë. Dyshohet se kosovari i Zvicrës ka pësuar një dëmtim.
Topçinjtë udhëtuan mbrëmë drejt veriperëndimit të Anglisë për t’u ballafaquar me Manchester Cityn në Etihad sot në orën 17:30, me Unai Emery që e ka lënë Granit Xhakën jashtë skuadrës, transmeton Gazeta Express.
Unai Emery e zbuti krizën e lëndimeve në klub duke e siguruar transferimin e mesfushorit të Barcelonës, Denis Suarez, këtë javë, megjithatë trajneri spanjoll përballet me probleme në qendër të mbrojtjes dhe qendër të mesfushës.
Xhaka ka qenë shtyllë e mesfushës së Arsenalit deri tani këtë sezon nën urdhrat e Emery dhe pritej të ishte titullar edhe ndaj Man Cityt. Megjithatë, mesfushori kosovar i përfaqësueses së Zvicrës nuk ka udhëtuar mbrëmë me skuadrën e Arsenalit drejt Mançesterit.
Besohet se ai ka pësuar një dëmtim që do t’ia pamundësojë paraqitjen sonte në Etihad.










