Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pranuar një zarf nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Zonja e Parë, Melanie Trump, përmes të cilit ata i urojnë asaj dhe Zotërisë së Parë, Prindon Sadriut, Vitin e Ri.
Zarfin presidentes Osmani ia ka dorëzuar më 15.01.2026 e Ngarkuara me Punë në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.
Gjatë takimit mes Osmanit dhe Prattipatit është diskutuar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve parlamentare të 28 dhjetorit 2025 dhe përmbushjen e standardeve më të larta demokratike, duke theksuar rëndësinë e konstituimit sa më shpejtë të institucioneve.
Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani dhe Prattipati shkëmbyen gjithashtu pikëpamje për një sërë çështjesh të rëndësishme në rrafshin e bashkëpunimit bilateral. Presidentja Osmani theksoi përkushtimin e palëkundur të Kosovës për të ecur përpara krah për krah me Shtetet e Bashkuara, në frymën e besimit të ndërsjellë, vlerave të përbashkëta dhe bashkërendimit të ngushtë në proces strategjike.











