Ministri i Jashtëm iranian Mohammad Jawad Zarif tha se shpreson që marrëdhëniet midis Turqisë dhe Iranit do të përmirësohen më tej në kontekstin e besimit të ndërsjellë, ndërsa vuri në dukje rëndësinë e marrëdhënieve të përzemërta midis Presidentit Recep Tayyip Erdogan dhe zyrtarëve të lartë iranianë. Ambasada iraniane në Ankara tha në një deklaratë se gjatë bisedës së djeshme telefonike midis ministrit të Jashtëm Mevlut Çavusoglu dhe Zarif është shqyrtuar çështja e “keqkuptimit të fundit“.
Në deklaratë gjithashtu u tha se “Bashkëbiseduesit diskutuan për rëndësinë e forcimit dhe zgjerimit të marrëdhënieve midis dy vendeve”. Ministria e Jashtme e Iranit thërriti ambasadoren e Turqisë në Teheran, Derya Ors, për një poezi të lexuar nga Presidenti Erdogan në Baku, kryeqyteti i Azerbajxhanit dhe i përcolli asaj kundërshtimet e forta të Teheranit.
Ministri i Jashtëm iranian Zarif gjithashtu postoi në llogarinë e tij në Twitter se poema e lexuar nga Presidenti Erdogan kishte për qëllim integritetin territorial të Iranit. Ministria e Jashtme turke thërriti më pas ambasadorin iranian në Ankara Mohammed Ferazmend.
Ministria shprehu ambasadorit Ferazmend reagimin e saj ndaj akuzave të pavërteta kundër Turqisë dhe Presidentit Erdogan dhe hapjes së një fushate urrejtjeje kundër Turqisë në Iran. Ministrat Çavusoglu dhe Zarif gjithashtu zhvilluan një bisedë telefonike dje në lidhje me çështjen.









