Zbulohen detajet e para, ja çfarë mund të përmbajë marrëveshja SHBA-Danimarkë për Grenlandën

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se po shqyrton një marrëveshje të mundshme për Groenlandën pas bisedimeve me liderët e vendeve anëtare të NATO-s dhe i tërhoqi kërcënimet për vendosjen e tarifave ndaj aleatëve evropianë që kundërshtuan planet e tij që SHBA-ja të marrë kontrollin e ishullit.

Pas javësh tensionesh në marrëdhëniet transatlantike për shkak të retorikës së tij, presidenti amerikan deklaroi se takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte, ka çuar në krijimin e një “kornize” për një marrëveshje të mundshme. Në rrjetet sociale, Trump dha pak detaje për bisedimet, të cilat si ai ashtu edhe përfaqësuesit e NATO-s i përshkruan si “shumë produktive”.

Megjithatë, nuk pati asnjë tregues për një marrëveshje që do të përmbushte kërkesën e Trump për pronësi amerikane mbi Groenlandën – një ambicie që ai e theksoi sërish në Forumin Ekonomik Botëror në Zvicër, duke përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake.

“Ne kemi formuar një kornizë për një marrëveshje të ardhshme lidhur me Groenlandën dhe, në fakt, për të gjithë rajonin e Arktikut. Kjo zgjidhje, nëse realizohet, do të jetë shumë e mirë për Shtetet e Bashkuara dhe për të gjitha vendet e NATO-s”, shkroi ai në Truth Social.

Burime diplomatike për CBS deklaruan se nuk ekziston asnjë marrëveshje për kontroll ose pronësi amerikane mbi këtë territor autonom, i cili ndodhet nën administrimin e Danimarkës. Trump shtoi se sekretari i Shtetit, Marco Rubio, dhe i dërguari special Steve Witkoff do ta informojnë “drejtpërdrejt” për ecurinë e negociatave.

“Dita përfundon me një ton më të mirë sesa filloi. Tani duhet të ulemi dhe të shohim se si mund t’u përgjigjemi shqetësimeve të sigurisë të SHBA-së në Arktik, duke respektuar vijat e kuqe të Mbretërisë së Danimarkës”, tha ministri i Jashtëm danez, Lars Løkke Rasmussen.

Detaje mbi marrëveshjen

Në orët që pasuan, nisën të dalin disa detaje të pjesshme mbi marrëveshjen e mundshme.

Pas takimit me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, Trump u tha gazetarëve se marrëveshja e mundshme mund të përfshijë të drejta mbi pasuritë minerare të Groenlandës. Ai shtoi se aleatët evropianë mund të bashkëpunojnë edhe në planin e dytë të tij – një sistem mbrojtës i quajtur “Kupola e Artë” – i cili synon të mbrojë SHBA-në nga sulmet raketore me rreze të gjatë.

Përveç pozicionit strategjik të Grenlandës, SHBA-ja ka përmendur edhe rezervat e mëdha dhe kryesisht të pashfrytëzuara të mineraleve të rralla në ishull, shumë prej të cilave janë thelbësore për teknologji si telefonat mobilë dhe automjetet elektrike.

“Ky është një marrëveshje afatgjatë përfundimtare. I vendos të gjithë në një pozitë shumë të mirë, veçanërisht sa i përket sigurisë dhe mineraleve. Është një marrëveshje që zgjat përgjithmonë”, theksoi Trump.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s deklaroi se në takimin me Trump nuk është diskutuar çështja kyçe e sovranitetit danez mbi Grenlandën. Trump më herët e kishte hedhur poshtë idenë e marrjes me qira të ishullit.

Sipas mediave amerikane, plani potencial mund t’i mundësojë SHBA-së ndërtimin e bazave shtesë ushtarake në këtë territor. Zyrtarë që morën pjesë në takimin e NATO-s të mërkurën i thanë “New York Times” se marrëveshja e propozuar mund të ngjajë me bazat britanike në Qipro, të cilat janë pjesë e territoreve përtej detit të Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas marrëveshjeve ekzistuese me Danimarkën, SHBA-ja ka të drejtë të dislokojë një numër të pakufizuar trupash në Grenlandë. Aktualisht, më shumë se 100 ushtarakë janë të stacionuar përherë në bazën Pituffik, në pjesën veriperëndimore të territorit.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu