Zbulohet ditari i Enver Hoxhës: Ne do t’a mbrojmë Kosovën, le t’a dijë e gjithë bota

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qëndror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qëndror të PPSH-së), ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës në periudhën mars-qershor 1981, kohë kur filluan demonstratat dhe protestat masive të popullit të Kosovës, i cili u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë.

I gjithë ditari politik i udhëheqësit kryesorë të Shqipërisë komuniste, ku ai dhe Tirana zyrtare e asaj kohe, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan hapur publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike, të cilët u ngritën për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tyre legjitime ashtu siç i kishin dhe gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera të Jugosllavisë së asaj kohe, dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur regjimi titist deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”. Por ndryshe nga sa thoshte me fjalë, nuk e bëri kurrë me vepra dhe qëndrimi që mbajti Tirana zyrtare ndaj ngjarjeve të Kosovës në pranverën e ’81-it, duket se ishin thjesht sa për fasadë dhe vetëm për konsum publik në arendën ndërkombëtare, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës që nga viti 1949 kur Tirana zyrtare i prishi marrëdhëniet me Jugosllavinë e Marshallit Tito, e deri në fundin e viteve ’80-të, ndaj kosovarëve që vinin në Shqipëri për t’i shpëtuar përndjekjeve të regjimit titist, ndoqi një politikë edhe më të egër ndaj tyre, duke i burgosur, torturuar dhe internuar, me akuzat shabllone “agjentë të UDB-së”!

“Ne duhet të bëjmë, gjithashtu, një analizë edhe të qëndrimeve që kanë mbajtur kancelaritë e ndryshme, domethënë të përcaktojmë e të njohim cilët ambasadorë të vendeve të botës, sidomos të vendeve të Evropës e në mënyrë të veçantë të atyre vendeve që kanë ose që mund të kenë influencë mbi qeverinë jugosllave, janë treguar pro nesh, kundër veprimeve të jugosllavëve dhe i kanë dënuar ato. Këtu të mos harrojmë se ka edhe nga ata që janë treguar asnjanës. Deri tani kemi parë se disa gazeta kanë shkruar më realisht në favor të çështjes së popullit të Kosovës dhe të qëndrimit tonë. Të tilla janë disa gazeta e gazetarë të Republikës Federale të Gjermanisë, pra gjermano perëndimorët, pastaj vijnë austriakët. Me Gjermaninë Perëndimore ne nuk kemi as lidhje diplomatike, ndërsa me Austrinë marrëdhëniet janë të mira. Austriakët mbajnë këtë qëndrim, sepse kanë kontradikta për çështje pakicash me jugosllavët, kurse gjermano perëndimorët nuk kanë. Prandaj ne duhet të gjykojmë pse Gjermania Perëndimore mban qëndrim më realist ndaj shqiptarëve të Kosovës dhe ndaj Shqipërisë, e cila e ka kritikuar kurdoherë dhe është në mosmarrëveshje me të”.

Kështu shkruan në mes të tjerash ish-udhëheqësi kryesor i Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha, në ditarin e tij të datës 18 maj të vitit 1981, duke u fokusuar në ngjarjet e Kosovës që asokohe ishte Krahinë Autonome në përbërje të Republikës Federative të Jugosllavisë, ku vetëm disa muaj pas vdekjes së Marshallit Josof Broz Tito (4 maj 1980), i cili e qeverisi atë vend për gati 35 vite me rradhë që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore, në Jugosllavinë që ai la pas, do të fillonin trazirat e brendshme, siç ishin demonstratat e protestat masive të popullit të Kosovës që u ngrit për të kërkuar të drejtat dhe liritë e tij legjitime, ashtu siç i kishin dhe i gëzonin edhe kombësitë dhe kombet e tjera që përbënin Republikën Federative të Jugosllavisë, për të kaluar deri në thirrjet “Kosova Republikë”.

Ashtu siç do t’i shikojmë edhe nga këto dokumenta arkivore ku ndodhet ditari politik i Enver Hoxhës, udhëheqësi kryesorë i Shqipërisë komuniste dhe Tirana zyrtare, i ndoqën me vëmendje ngjarjet e Kosovës dhe u prononcuan publikisht, duke dalë hapur në mbrojtje të vëllezërve tanë kosovarë përtej kufirit që jetonin prej shekujsh në trojet e tyre etnike dhe duke akuzuar Beogradin zyrtar për politikën diskriminuese që kishte ndjekur deri në atë kohë ndaj Kosovës dhe gjithë popullsisë shqiptare që jetonte nën Jugosllavi, dhe gjithashtu duke akuzuar edhe udhëheqjen e Kosovës si “pro-titiste”, dhe “të shitur tek udhëheqja e Beogradit”.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu