Partia Socialiste dhe kryeministri Edi Rama nga zgjedhjet e 25 qershorit dolën me 74 mandate deputeti duke siguruar “timonin” për katër vitet e ardhshme.
Edhe pse kanë kaluar vetëm 3 ditë nga zgjedhjet, menjëherë kanë nisur edhe pikëpyetjet mbi përbërjen e ekipit qeveritar.
Gjatë një prononcimi për mediat lokale, kandidati i dytë i listës së PS-së në Qarkun e Kukësit, Safet Gjici, i cili nuk arriti dot ta fitonte mandatin ka rrëfyer se ai do të hyjë në Parlament, për shkak se sipas tij Mimi Kodheli do të jetë pjesë e qeverisë “Rama 2”, ku edhe njëherë duket se do të respektohet standardi që ministri nuk mund të jetë njeherazi edhe deputet.
Statusi i Safet Gjicit:
Miqtë e mi! Pas mbylljes së proçesit të numërimit të votave, ne arritëm të merrnim 1 mandat në Qarkun e Kukësit, ndonëse kishim të gjitha mundësitë që të merrnim 2, por jo gjithçka eci ashtu siç e kishim planifikuar.
Unë jam shumë i nderuar dhe ndihem shumë i respektuar nga mbështetja e të gjithëve Ju, pasi si kurrë më parë ne arritëm një rezultat historik.
Unë e di që shumëkush prej Jush, më ka votuar si Safet Gjici, dhe për këtë ju jam borxhli tërë jetën pasi u bëtë bashkë me mua pavarësisht bindjeve politike.
Ky është një mesazh i qartë se për njeriun e punës lihen mënjanë logot e partive politike, për një qëllim: Zhvillimin social-ekonomik të Kukësit.
Ndërsa, ata që morën përgjegjësi dhe nuk punuan sa duhet, sigurisht që do marrin atë që meritojnë. Falë mbështetjes tuaj, të majtë,të djathtë, me dhe pa parti, unë dhe Partia Socialiste arritëm që të merrnim një rezultat të paparë ndonjëherë.
Në bashkinë Kukës, PS kryesoi me 1800 vota mbi Partinë Demokratike, çka e konsideroj si një arritje historike. Partia Socialiste e qarkut Kukës nga 11.100 vota që kishte diferencë mes PD dhe PS në vitin 2013, në këto zgjedhje kjo diferencë është ulur në 1.100 vota.
Nëse do jem në Parlament, për shkak të lëvizjeve që mund të bëhen në krijimin e qeverisë së re Rama 2, të dalë pas zgjedhjeve të 25-qershorit, unë Ju siguroj se do mbaj të gjitha premtimet që kam bërë gjatë fushatës elektorale. /albeu











Votat i moret Punoni per popullin!