Autoritetet e Los Anxhelesit kanë zbuluar një rast të pazakontë, që ngjan me skenarë filmi. Një grup hajdutësh kishte shndërruar një tunel të braktisur në një vend fshehjeje për makina të vjedhura, nën qytetin e Montebellos, në Kaliforni.
Tuneli, që dikur ishte ndërtuar për menaxhimin e ujërave të lumit San Gabriel si pjesë e projektit ushtarak “Whittier Narrows”, ishte jashtë përdorimit prej vitesh. Falë strukturës së tij prej betoni të përforcuar dhe thellësisë nën tokë, sinjalet GPS nuk funksiononin, gjë që e bënte pothuajse të pamundur lokalizimin e automjeteve.
Dy vëllezër kishin ngritur aty një punishte të fshehtë, ku çmontonin makinat e vjedhura dhe i shisnin pjesët në tregun e zi. Sipas policisë, aktiviteti i tyre kishte vazhduar për muaj të tërë pa u zbuluar.
Operacioni mori fund pas një denoncimi për një makinë luksoze të vjedhur.
Kamerat e sigurisë e kapën njërin nga hajdutët duke hyrë në tunel dhe një helikopter policie e ndoqi deri në hyrje.
Kur forcat hynë brenda, mbetën të habitura nga numri i automjeteve të fshehura dhe pajisjet e përdorura për riparime.










