Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë: Trump është gati të lëshojë ‘ferrin’ nëse Irani nuk pranon humbjen!

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi se “Irani nuk duhet të bëjë gabime në llogaritje”, duke theksuar gatishmërinë e presidentit Donald Trump për veprime të ashpra nëse Teherani nuk pranon rezultatin.

“Donald Trump nuk po luan bllofin dhe është gati të lëshojë ferrin nëse Irani nuk e pranon humbjen”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë.

Sipas SHBA-së, negociatat me Iranin vazhdojnë dhe janë konstruktive. Leavitt e konfirmoi këtë duke iu përgjigjur pyetjes mbi refuzimin e Iranit ndaj planit amerikan të paqes me 15 pika.

Teherani, nga ana e tij, e ka quajtur këtë propozim “të tepruar” dhe ka rikthyer kushtet e veta për një ndalim të mundshëm të zjarrit. Mediat iraniane, si Press TV, citojnë një zyrtar të lartë që thotë: “Irani do të ndalë luftën kur të vendosë dhe kur të plotësohen kushtet e tij. Para kësaj nuk do të ketë negociata.”

Ndërkohë, sipas The Guardian, gjatë kësaj jave Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të presin një takim teknik mes shefave të shtabeve të ushtrive me rreth 30 vende aleate, europiane dhe jo, për të përcaktuar planet e një misioni të ardhshëm detar që synon të sigurojë rihapjen e ngushticës strategjike të Hormuzit.

Burime nga Gjiri Persik kanë raportuar për The Telegraph se iranianët nuk kanë ndërmend të ulen në tryezë me Steve Witkoff dhe Jared Kushner, duke i akuzuar për “tradhti” për shkak të sulmeve ushtarake që goditën Teheranin pak orë pas bisedimeve të shkurtit.

JD Vance, nënkryetari që ka qëndruar kryesisht i heshtur gjatë konfliktit, tani përmendet si negociatori kryesor në rast të bisedimeve të reja në Islamabad. Megjithatë, kjo e ashtuquajtura negociatë për të mbyllur Luftën e Gjirit nuk po sjell ulje të tensioneve. /Panorama/


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu