Në Maqedoninë e Veriut sot po zhvillohet raundi i parë i zgjedhjeve lokale, në të cilat qytetarët do të zgjedhin kryetarët e 80 komunave dhe të Qytetit të Shkupit, si dhe këshilltarët komunalë.
Sipas Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve (KSHZ), në Listën e Votuesve janë regjistruar 1,832,415 votues, të cilët pritet të votojnë në 3,474 qendra votimi në mbarë vendin. Në garë janë 309 kandidatë për kryetar komune dhe 576 lista për këshilltarë komunalë, me gjithsej 10,490 kandidatë.
Në procesin zgjedhor marrin pjesë 22 parti politike, 19 koalicione dhe 119 grupe votuesish të pavarur. Qyteti i Shkupit shënon numrin më të madh të kandidatëve për kryetar – 16 gjithsej.
Zgjedhjet po monitorohen nga 1,451 vëzhgues, prej të cilëve 807 vendorë dhe 644 ndërkombëtarë.
Votimi ka filluar në orën 07:00 dhe përfundon në orën 19:00. Ai mund të zgjatet nëse në qendrën e votimit ka ende qytetarë që nuk kanë hedhur votën, ose në rastet kur procesi ndërpritet për shkaqe teknike apo vendime të KSHZ-së. Në rast ndërprerjeje më të gjatë se një orë, votimi mund të shtyhet për të njëjtën periudhë, por jo më shumë se tre orë.
Pas mbylljes së kutive në orën 19:00, votimi ndalon dhe fillon përgatitja për numërimin e votave, që nuk mund të nisë para përfundimit zyrtar të procesit./INA/