Gjykata Speciale, me seli në Hagë të Holandës, heton krimet e pretenduara të ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të kryera kundër pakicave etnike dhe rivalëve politikë, nga janari i vitit 1998 deri në dhjetor të vitit 2000.
Aktualisht, në këtë institucion është duke vazhduar procesi gjyqësor kundër ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ish-deputetit Rexhep Selimi dhe dy ish-kryetarëve të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Gjykimi po vazhdon tash e sa vite.
Kurse, së fundi, në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit janë marrë vendime të rëndësishme që kanë të bëjë me provat materiale.
Në mesin e këtyre vendimeve, është edhe pranimi në prova materiale i raporteve ndërkombëtare- të hartuara nga organizatat e huaja. Njëri nga këto dokumente flet për një përplasje të supozuar në mes Selimit dhe ushtarëve britanikë të KFOR-it në Kosovë.
Këtë kërkesë për pranimin e këtyre dokumenteve në prova, Prokuroria e kishte dorëzuar më 31 mars 2025, ndërsa trupi gjykues e mori vendimin më 29 maj 2025.
Mbrojtja kishte pretenduar se ata do të paragjykoheshin nga pranimi i këtyre materialeve, pasi ZPS-ja nuk ka identifikuar ndonjë dëshmitar specifik përmes të cilëve mbrojtja do të ishte në gjendje që ta sfidojë përmbajtjen e tyre.
Madje, mbrojtja ka pretenduar se materialet e propozuara nuk tregojnë burimin e informacionit dhe janë të bazuara në thashetheme apo burime anonime.
Mirëpo, si pritet të ndikojë pranimi i këtyre provave në këtë proces dhe si do vijojë gjykimi, folën avokatët për “Bota sot”.
Halilaj: Zhvillime të reja në rastin Thaçi dhe të tjerët – Dëshmi të reja pranohen si prova materiale
Së pari, në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” ka folur avokati Gazmend Halilaj.
Së pari, ai u shpreh se dokumentet e pranuara si prova pritet të ndikojnë në këtë proces, derisa tha se kjo është shenjë e profesionalizmit gjyqësor.
“Në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, janë pranuar në prova materiale disa dokumente që ndërlidhen me viktima të përmendura në aktakuzën e Prokurorisë. Ajo që bie në sy është edhe pranimi i dokumenteve për një rast ku viktima nuk përmendet me emër në aktakuzë, por që megjithatë është vlerësuar si relevante për zbardhjen e së vërtetës.
Këto zhvillime pritet të ndikojnë drejtpërdrejt në rrjedhën e çështjes dhe të japin më shumë qartësi mbi përgjegjësinë individuale të të akuzuarve për krimet e pretenduara. Pranimi i këtyre provave tregon për seriozitetin dhe profesionalizmin e qasjes gjyqësore, duke vendosur drejtësinë dhe viktimat në qendër të procesit”, deklaroi Halilaj.
Po ashtu, avokati nuk përjashtoi mundësinë që të ketë zhvillime të reja dhe tha se drejtësia nuk është kundër luftës për liri.
“Ekziston mundësia që zhvillime të tilla të sjellin edhe zgjatje të hetimeve, në varësi të nevojës për të thelluar analizat dhe për të siguruar një gjykim të drejtë dhe gjithëpërfshirës.
Ne qëndrojmë fuqishëm në përkrahje të Gjykatës dhe e mbështesim çdo përpjekje për zbardhjen e plotë të së vërtetës. Kërkojmë drejtësi për viktimat dhe përgjegjësi për ata që kanë shkelur ligjin, pavarësisht pozitës apo emrit të tyre.
Drejtësia nuk është kundër luftës për liri, por në mbrojtje të jetës, dinjitetit dhe vlerave njerëzore që e bëjnë një luftë të drejtë”, përfundoi Gazmend Halilaj për “Bota sot”.
Jashari: Konsideroj se Dhomat e Specializuara, nuk i kanë përmbushur pritshmeritë, për një gjykim të drejtë
Kurse, avokati tjetër, Arbër Jashari vlerëosn se Specialja nuk i ka përmbushur parimet për gjykim të drejtë.
Sipas tij, është shqetësuese stërgjatja e këtij procesi dhe mungesa e transparencës.
“Konsideroj se Dhomat e Specializuara, nuk i kanë përmbushur pritshmeritë, për një gjykim të drejtë dhe ne kohë të arsyeshme, që është një prej parimeve bazë të se drejtës.
Procesi i stërzgjatur, i përcjellë shpeshherë edhe me mungesë transparence si dhe refuzimi i gjykatës që të akuzuarit të mbrohen në liri ose nën ndonjë masë tjetër alternative me te lehtë, se ajo e paraburgimit, pa ndonjë arsye bindëse, e kanë zbehur teje mase besimin në këtë institucion”.
Në fund, shtoi se janë shqetësuese raportimet për trajtim të paraburgosurve.
“Po ashtu publiku kosovar i ka përcjellë me shqetësimit edhe raportimet qe kanë të bëjnë me vizitat e te paraburgosurve si dhe tretmanin e tyre në ambientet e paraburgimit”, përmbylli Arbër Jashari për “Bota sot”.