Zidane jep miratimin, afrohet marrëveshja me yllin e Premier League

Rrugët e Eden Hazard dhe Real Madridit janë të destinuara të kryqëzohen. Madje, çdo ditë e më pak ka “kthesa” në këtë rrugë, për të arritur në pikën e takimit. Kështu bën me dije sot spanjollja “AS”. Sipas saj, tri nga katër palët (lojtari, klubi i bardhë dhe Zidane) pajtohen plotësisht për operacionin e pritshëm në verë.

Ende mbetet për të bindur palën e katërt të përfshirë në bisedime, Chelsea, por marrëveshja po afron. Bisedimet mes dy klubeve janë intensifikuar. Skenari është i tillë: Blutë nuk duan ta humbasin si lojtar të lirë belgun, kur t’i mbarojë kontrata, por as ta shesin me çmim dosido.

Për yllin e tyre, londinezët kanë vendosur çmimin prej 100 milionë stërlina (116 milionë euro). Ndërkohë, Real Madridi e vlerëson lojtarin me 80, ose 90 milionë euro, jo për vlerat e tij, por për shkak se i përfundon kontrata në “Stamford Bridge” në vitin 2020. Gjithsesi, në klubin e bardhë janë optimistë për arritjen e një pike të përbashkët midis të dy propozimeve.

Kjo “tërheqje litari” është e ngjashme me atë që ndodhi me Courtois, një vit më parë. Chelsea e dinte disa muaj para hapjes së merkatos së verës se e ardhmja e portierit belg ishte në Madrid, por zgjati marrëveshjen derisa gjeti zëvendësuesin (Kepa). Në këtë rast, blutë e Londrës e kanë tashmë një rezervë të “10” së tyre (Pulisic), kështu që negocimi nuk do të zgjasë sa për portierin.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu