Gjatë vizitës në Autoritetin e Aviacionit Civil, kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka folur edhe në lidhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese rreth dekretit të presidentit Thaçi, ndryshe nga herët e tjera ku bënte presion e ku nuk thoshte se do ta respektoj, kësaj here ka zgjedhur ta lërë të punoj.
Kryeministri në detyrë si rrallë herë deklaroi, se duhet ta lëmë në qetësi këtë institucion për të marrë vendimin profesional dhe meritor.
Ndërsa, shtoi se ai është duke punuar me të gjithë kompetencat dhe nuk do t’i pengojnë skenarët për Qeverinë Hoti.
“Besoj që duhet ta lëmë të punojë në qetësi Gjykata Kushtetuese, ajo i ka aktgjykimet e saj nga rastet e mëhershme. Ekziston përvoja dhe praktikat e deritanishme, e kemi kushtetutën tonë, dhe le të punojë në qetësi për vendim profesional e meritor. […] Kosova është shtet i pavarur e ka kushtetutën, i ka ligjet e veta dhe unë punoj me gjithë dije e kompetencat që kam dhe nuk do të mund të na pengojnë insinuatat e tilla qofshin ato edhe presidenciale”, vijoi Kurti.
Kurti deri me tani asnjëherë nuk ka pohuar se do ta respektojë aktgjykimin për çështjen e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit.
Kurti, më 23 prill i kishte dërguar një letër të pazakontë kryetares së Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, Arta Rama-Hajrizi, në të cilën kontestonte punën e Gjykatës dhe e akuzonte për joprofesionalizëm dhe anshmëri.
Kurti në letrën e tij pretendonte se Kushtetuesja nuk i ka respektuar afatet ligjore dhe Rregulloren e Punës së Gjykatës Kushtetuese për rastin KO61/20 (Ankesa e deputetëve të PDK-së ndaj vendimeve të ministrit Vitia për kufizimin e masave). Përveç kësaj, në letrën e tij, Kurti kishte konstatuar se Gjykata Kushtetuese me vendime të kundërligjshme ka vendosur në presion Qeverinë e Kosovës, gjë që, sipas tij, është e papranueshme.
“Për ne, refuzimi për të zbatuar rregullat e vendosura nga vet Gjykata Kushtetuese në rrethanat e rastit konkret, është shqetësim serioz në lidhje me profesionalizmin dhe paanshmërinë e Gjykatës”, thuhej në letrën e Kurtit drejtuar Gjykatës Kushtetuese.
Ndërsa, të shtunën në një paraqitje të tij televizive Kurti kishte thënë se nëse Gjykata Kushtetuese vendos në favor të presidentit, atëherë do të merrte fund çdo gjë.










