Bashkimi Evropian si ndërmjetësues i dialogut Kosovë-Serbi, nuk ka një datë të caktuar të takimit të palëve të nivelit të lartë, pavarësisht se i dërguari special për bisedime i Bashkimit Evropian, Miroslav Lajçak, në vizitën e tij në Kosovë deklaroi se do të ndodhë këto ditë.
Madje ai ka thënë se qëllimi parësor i vizitës së tij në Kosovë është që të përgatiten që takimi i nivelit të lartë mes, Albin Kurtit dhe Aleksandar Vuçiqit të jetë i suksesshëm.
“Qëllimi parësor i kësaj vizitë në Kosovë është të përgatitet takimi i parë mes Kurtit dhe Vuciq që do të mbahet për pakë ditë në Bruksel, prandaj unë jam këtu”, tha Lajçak në një konferencë për media.
Të kundërtën po e thonë zyrtar të BE-së, ku thanë se një gjë e tillë nuk është vendosur akoma.
Peter Stano, zëdhënës i zyrës së Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në një përgjigjeje për arbresh.info tha se palët pjesëmarrëse akoma nuk kanë vendosur për kohen dhe vendin andaj në parim çdo gjë varët nga palët pjesëmarrëse.
“Ne kurrë nuk diskutojmë publikisht logjistikën e përgatitjes së takimeve të organizuara nga BE. Në parim, përgatitjet për çdo ngjarje të organizuar nga BE fillojnë pasi të gjitha palët pjesëmarrëse të vendosin për një kohë, vend dhe agjendë të ndërsjellë të përshtatshme për një ngjarje të tillë”, thuhet në përgjigjen e Peter Stano.
E vetë i pari i Qeverisë Albin Kurti, në një vizitë në Prizren, aprovoi se takimi do të mbahet nga mesi i qershorit.
“Sa i përket dialogut me Serbinë. Do të ketë një takim nga mesi i qershorit”, deklaroi Kurti.
Ndryshe, Kurti takimin e tij me Përfaqësuesin Special të BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajčák dhe Zëvendës ndihmës Sekretarin amerikan të Shtetit për Çështje të Evropës dhe Euroazisë, Matthew Palmer, e vlerësoi si të rëndësishëm takimin dhe kohën kur po ndodh ai në prag të takimit në Bruksel, i paralajmëruar për në mesin e qershorit.
Tutje Kurti tha se bashkëpunimi dhe koordinimi në mes të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës në procesin e ri të dialogut është i mirëseardhur sepse është i domosdoshëm, ndërsa për dialogun tha se duhet të jetë i drejtë, parimor dhe në shërbim të popujve dhe paqes e sigurisë së gjithmbarshme.









