Në Dhomat e Specializuara të Kosovës me seli në Hagë është mbajtur seanca statusore e katërt për ecurinë e çështjes së ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Salih Mustafa. Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se deri më 15 shkurt të këtij viti do t’i dorëzojë të gjitha materialet e dala nga hetimet (dosjen para-gjyqësore) lidhur me rastin e të akuzuarit Salih Mustafa.
Prokuroria tha se deri më tani kanë nxjerrë pothuajse të gjitha provat, përfshirë edhe ato shfajësuese që duhet t’i dorëzohen palës mbrojtëse. Ajo përmendi mundësinë që këtyre materialeve t’u shtohet edhe një dëshmitar i cili është intervistuar më herët nga ta, por që procedura ndaj verifikimit të të dhënave të dëshmitarit është ende në proces.
Në këtë seancë nuk ka marrë pjesë Salih Mustafa, gjë për të cilën më herët ka njoftuar me shkrim Dhomat e Specializuara.
Avokati i Mustafës, Julius Von Boné tha se mbrojtja parashikon që të përmbyllë hetimet për çështjen deri në muajin gusht, por Zyra e Prokurorit të Specializuar tha se ky afat është i papranueshëm për ta, duke theksuar se “mbrojtja ka pasur kohë të mjaftueshme për ta përgatitur çështjen dhe t’i zhvillojë hetimet”.
Avokati i Mustafës pas kësaj tha se parapëlqen që mbrojtja të kryejë hetimet e saj para se të fillojë gjykimi ndaj klientit të tij.
Midis mbrojtjes së të akuzuarit si dhe Zyrës së Prokurorisë së Specializuar ka pasur mospërputhje të propozimeve të datave se kur duhet të nisë gjykimi. Mbrojtja ka kërkuar që gjykimi të fillojë në korrik por Prokuroria ka kërkuar që gjykimi të niset sa më shpejtë.
Mbrojtja e Salih Mustafës dhe Prokuroria kanë vendosur që deri në fund të muajit shkurt të jetë afati i fundit për t’u marrë vesh lidhur me afatet kohore dhe faktet të cilat do të paraqiten nga Prokuroria lidhur me çështjen.
Salih Mustafa u arrestua dhe ekstradua nga Kosova në Holandë më 24 shtator të vitit 2020 me urdhër të gjykatësit pasi aktakuza ndaj tij ishte konfirmuar. Më 28 tetor ai u deklarua i pafajshëm për pikat e aktakuzës ndaj tij.
Aktakuza e konfirmuar kundër Salih Mustafës thotë se ai është përgjegjës për disa krime, si tortura dhe keqtrajtim ndaj të paktën gjashtë personave në periudhën nga 1 prilli 1999 deri më 19 prill 1999 në fshatin Zllash, ku operonte një qendër burgimi.









