Sali Berisha përjashtohet nga grupi i partisë që themeloi 30 vite më parë. Mbrëmjen e sotme, kryetari i PD-së, Lulzim Basha zgjidhi dilemën duke zgjedhur Amerikën përpara liderit historik të së djathtës shqiptare. Kryedemokrati njoftoi se ka përjashtuar Sali Berishën nga grupi i PD-së për legjislaturën e re që nis nesër, pasi SHBA e shpalli “non grata”.
“Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë. Z. Berisha ka bërë të qartë se kjo është një çështje personale e tij dhe ku Partia Demokratike dhe Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike nuk duhet të përfshihen.
Për të shmangur çdo keqkuptim dhe për të konkretizuar këtë qëndrim të vetë z. Berisha, kam vendosur që deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesës ligjore për transparencë dhe zbardhjes së plotë të kësaj çështje në rrugë gjyqësore, z. Berisha nuk do të jetë anëtar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Kjo do të shmangte keqpërdorimin e çështjes nga kushdo, për të dëmtuar interesin e demokratëve dhe Partisë Demokratike, dhe do i hiqte alibinë cilitdo për të mbrojtur të keqen e vetme të Shqipërisë që është keqqeverisja dhe korrupsioni 8 vjeçar i Edi Ramës”, deklaroi Lulzim Basha.
Me këtë vendim, Sali Berisha nesër mund të shkojë në Kuvend, por nuk mund të jetë pjesë e grupit të Partisë Demokratike, nga e cila u zgjodh deputet në zgjedhjet e 25 Prillit.
Në datë 19 maj Sekretari i Shtetit Antony Blinken deklaroi se ish-kryeministri Sali Berisha është shpallur non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, së bashku me familjen.
“Veprimet korruptive të ish-Presidentit Sali Berisha minuan demokracinë në Shqipëri.
Shpall publikisht Berishën dhe familjen e tij të papërshtatshëm për të hyrë në SHBA. Ne qëndrojmë të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”, shkruante Sekretari i Shtetit Blinken në mesazhin e tij.









