Marramendja, pse mjekohet keq dhe ç’duhet të bëjmë

Marrjet e mendve apo sicc njihen në praktikën e përditshme mjekësore me emërtimin “vertigo” janë një shqetësim shumë i shpeshtë.

Me marrje mendsh kuptojmë humbjen e pjesshme apo të plotë të orientimit në hapësirë duke na u krijuar ideja e rrotullimit të ambientit që na rrethon, duke u shoqëruar me paaftësi në zotërimin e ekuilibrit të trupit gjatë qëndrimit në këmbë dhe vështirësi për të lëvizur.

Vertigot janë me natyrë periferike që nënkupton vertigo me origjinë nga labirinti, i cili është pjesë përbërëse e veshit të brendshëm dhe me origjinë centrale që vijnë si pasojë e dëmtimeve në qendrat dhe sistemin që lidhet me ekuilibrin në tru. Në praktikë masivisht kur bëhet fjalë për marrje mendsh opinioni i njerëzve është se mund të kenë një problem me veshin e mesëm. Ky është një keqkuptim që ka zënë vend në opinionin e përgjithshëm jomjekësor.

Kur bëhet fjalë për marrje mendsh me origjinë periferike gjithmonë duhet menduar veshi i brendshëm.

Kjo vlen për ndryshimin e konceptit që ekziston rëndom te të gjithë pacientët përgjithësisht. Marrja e mendve me origjinë periferike është shumë herë më e shpeshtë se me origjinë qendrore dhe për këtë arsye nëse ka një pacient me marrje mendsh, konsulta e parë që duhet të bëjë është të kontaktojë një mjek ORL, i cili nga ana e tij duhet të diferencojë se kemi të bëjmë me një vertigo me natyrë periferike apo central.

Fatkeqësisht ky kontigjent pacientësh shpeshherë është më i keqtrajtuari nga ana mjekësore si për arsye të tij, sepse pasi konstaton një shqetësim të tillë fillimisht drejtohet kryesisht tek neurologu apo edhe tek specialistë të tjerë që, për arsye të ndryshme, në shumicën e rasteve nuk e drejtojnë tek mjeku ORL, ashtu edhe kur merr kontakt me mjekun e familjes dhe ky e orienton gabim edhe si pasojë e një stereotipi të krijuar në vite apo të njohurive të pamjaftueshme të personelit mjekësor që bën shpërndarjen e pacientëve.

Vertigot me natyrë periferike janë të shpeshta dhe kryesisht janë vertigo e pozicionit që hasen kur çohemi nga krevati apo ndryshojmë pozicion ose shpërthejnë krejt papritur, por trajtohen me lehtësi përgjithësisht me shumë pak medikamente dhe në shumicën dërrmuese nuk kanë nevojë për ekzaminime të hollësishme shtesë, pasi në këto raste ekzaminimet janë të kushtueshme dhe nuk mund të verifikojnë diagnozën, vetëm se mund të përjashtojnë sëmundje të tjera.

Një pacient që ka vertigo, nëse trajtohet në tym ka një kosto të madhe si për individin, ashtu dhe për institucionet shëndetësore. Jo rrallë këta pacientë marrin medikamente të shtrenjta dhe për periudha të gjata kohore në mënyrë të pajustifikuar.

Megjithatë, marrja e mendve është vetëm nje simptomë që duhet analizuar në tërësinë e simptomave të tjera, pasi numri i sëmundjeve që shoqërohen me marrje mendsh janë të shumta, pasi ajo vetë shfaqet si një simptomë i një sëmundjeje në sistemin vestibulo- cerebelar, ku përfshihet veshi dhe truri, por mund të jetë dhe një simptomë shoqëruese e sëmundjeve të tjera, si në rastet e spondilartrozave cervikale, sëmundje të enëve të gjakut që furnizojnë kokën me gjak, sëmundje të zemrës, veshkave, mëlçisë, sëmundjet infektive etj.

Marrjet e mendve që lidhen me veshin mund të jenë me natyrë inflamatore në rastet e otiteve kronike të patrajtuara apo meningjiteve, por në shumicën e rasteve janë me natyrë joinflamatore dhe jo në të gjitha rastet janë të lehta për t’u diagnostikuar dhe mjekuar. Trajtimi i mirë i tyre në radhë të parë kërkon diagnostikim të saktë, që e theksoj ekzaminimi klinik është më i rëndësishëm se për çdo sëmundje tjetër.

Mjekimi bëhet shumë i lehtë nëse ne diagnostikojmë saktë. Nuk janë medikamentet ato që mjekojnë sëmundjen, por është zbulimi i saktë i diagnozës, pasi dhe me medikamentin më të thjeshtë do të merrnim efektin e dëshiruar në shumicën e rasteve sikundër medikamenti me cilësor, por të përdoret pa indikacionin e duhur nuk do të kishte efekt, qoftë dhe minimalisht.

Duke qenë se këto sëmundje kanë një dekurs që shkon drejt përmirësimit të vetvetishëm dhe pacienti ka filluar një mjekim, shpesh ndodhet përballë një dilemë se përmirësimi i erdhi si pasojë e mjekimit apo natyralisht dhe nga frika se sëmundja i përsëritet, vazhdon të marrë mjekim për një kohë të gjatë me indikacion dhe efekte shumë të dyshimta.

Prandaj duhet menduar mirë kur i fillojmë një mjekim pacientit. Madje, ka dhe një fenomen tjetër, që medikamente që nuk duhet të përdoren në krizat vertiginoze, por duhet të përdoren si mjekim mbajtës, përdoren në momentin e krizës ku vetë medikamentet në përshkrimet e tyre e kanë të shkruar që nuk përdoren në këtë moment dhe për më keq është ku, si në asnjë vend tjetër, medikamentet i japin farmacistët së bashku me udhëzimet përkatëse.

Një vizitë për këto lloj shqetësimesh tek mjeku i duhur do t’ju kursejë shumë gjëra dhe sigurisht që çdo gjë do të kalojë më lehtë dhe me më pak “vuajtje” dhe kosto shumë herë më të lirë./ Shendeti


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu