Ballina Aktuale 15 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, çfarë thotë Analiza për të?

15 vite pas Marrëveshjes së Ohrit, çfarë thotë Analiza për të?

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, më 13 gusht, numëron 15 vite nga nënshkrimi i saj. Por a numëron suksese sa numëron vite, është çështje për t’u diskutuar. Janë dy pika ku i gjithë opinioni pajtohen në lidhje me Marrëveshjen e Ohrit. E para është se ajo pengoi zgjerimin e një lufte civile më 2001 dhe e dyta, elitat politike e penguan ndërtimin e demokracisë në Maqedoni, e që si themel duhej të kishte Marrëveshjen Kornizë të Ohrit.

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni në deklaratat e tyre për Portalb.mk vërtetojnë se elita politike në Maqedoni ka dështuar në aplikimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Themelet janë vendosur duhet të vazhdojë ndërtimi

Profesori universitar Denko Maleski, pohon se karakteri i shtetit të Maqedonisë u ndryshua me Marrëveshjen e Ohrit dhe Maqedonia u bë shtet multietnik.

“Mirëpo, në këtë kontekst asgjë me rëndësi nuk ka ndryshuar. Janë krijuar kushtet elementare që të zhvillohet në këtë drejtim Maqedonia. Të gjithë të mund të japin kontribut në prosperitetin, sigurinë dhe ardhmërinë e shtetit, duke mos u ndje qytetar i rendit të dytë. Sa e gjithë kjo në realitet praktikohet varet nga procesi politik dhe politikanët në të. Shumë punë janë lënë në shkathtësinë e politikanëve. Shqiptarët tani kanë përfaqësues të tyre në Kuvend dhe shumë gjëra varen nga dija apo mos-dija e vetë politikanëve që të përfitojnë nga ideja e tyre, të mobilizojnë për diçka që është e drejtë për shoqërinë,… e kështu me radhë”, tha për pë Portalb Maleski.

Ai porositë që nuk ka kohë për ankime. “Themelet janë vendosur tani duhet të vazhdon ndërtimi. Shtypje ka nga të gjitha anët, por tani vjen ai procesi i rëndë, procesi demokratik”, përfundoi Maleski.

Nëse një projekt i mirë realizohet keq, duhet të ndërrohen aktorët

Analisti Xhelal Neziri vlerëson se suksesi më i madh i Marrëveshjes së Ohrit është se e parandaloi një luftë civile që mund të kishte pasoja të rënda për të gjithë.

“Pjesa më e madhe e kësaj Marrëveshjeje tani më është pjesë e Kushtetutës dhe ligjeve, gjë që mëton të sigurojë një shtet që reflekton realitetin multietnik dhe multikulturor. Dhe ajo që është më e rëndësishme është fryma e Marrëveshjes së Ohrit, që parashikon konsensus dhe negociata për të gjitha çështjet që prekin interesin e ndonjë grupimi etnik, religjioz apo edhe politik. Problemi është se partitë shqiptare kanë negociuar për degradimin e saj gjatë miratimit të ligjeve, kanë bërë pazare për moszbatimin e obligimeve dhe kanë tregtuar me frymën e kësaj marrëveshjeje. Nëse një projekt i mirë realizohet keq, atëherë duhet të ndryshojmë zbatuesit e jo projektin. E njëjta gjë vlen edhe për Marrëveshjen e Ohrit – duhet ndryshuar lojtarët politik”, deklaroi për Portalb Neziri.

Sipas Nezirit, kjo Marrëveshje ka pasur për qëllim të ndryshojë mendësinë e politikës në radhë të parë, për të ndërtuar një shtet inkluzive e jo ekskluziv në aspektin etnik. Pastaj, shton ai, kjo reformë të përhapet në të gjitha sferat e shoqërisë.

“Mendoj se zbatuesit e Marrëveshjes më shumë kanë mbajtur llogari për interesat e ngushta klanore, sesa për implementimin e plotë të saj. Kjo normalisht që ka sjellë pakënaqësi në opinion, e cila me shpalljen si të vdekur të kësaj Marrëveshjeje në fakt e shpall të vdekur politikën e pas vitit 2002”, përfundoi Neziri.

Ka edhe shumë për t’u bërë

“Nëse do ta analizonim Marrëveshjen e Ohrit nga perspektiva thjeshtë “teknike” ose me saktë thënë, nga perspektiva formale, do të mund të thonim se kjo marrëveshje ka plotësuar mjaft nga pikat e saja, mirëpo nëse e analizojmë nga pikëpamja e substancës së saj, atëherë kemi një pasqyre ndryshe”, kështu mendon Ibrahim Mehmeti, njohës i çështjeve politike.

Sipas Mehmetit, kur shohim se raportet ndëretnike janë stabile por të ftohta dhe kur e shohim se pozicioni i shqiptarëve ka ndryshuar në aspekt të pjesëmarrjes në institucione, por jo edhe nga aspekti se si institucionet i trajtojnë shqiptarët qytetarë të rëndomtë, atëherë na mbetet të themi se ka ende shume për t’u bërë.

“Për fat të keq, unë nuk shoh kapacitete të domosdoshme politike dhe intelektuale brenda elitave politike dhe institucionale për një ndryshim të këtillë në qasjen ndaj Marrëveshjes së Ohrit, andaj edhe kam drojë se situata e këtillë politike në Maqedoni mund të vazhdojë edhe një kohë më të gjatë. Që të ndryshojë diçka më thelbësore, duhet ndërmarrë hapa thelbësore, të cilat elitat politike ose nuk janë në gjendje t’i ndërmarrin ose nuk kanë kapacitet ta bëjnë këtë, andaj sërish nevojitet presion më i madh nga mediat dhe intelektualët, jo vetëm shqiptarë, por edhe nga të tjerët”, nënvizoi Ibrahimi.

Analiza e MKO-së

Se ka edhe shumë për tu bërë më së miri e dëshmon edhe vetë analiza e Marrëveshjes së Ohrit. Ne vijim do ju sjellim vetëm disa përfundime nga analiza e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit që më së miri vërteton konstatimet e mësipërme të analistëve:

Përfaqësimi i  drejt: Gjatë viteve ka pasur arritje të konsiderueshme në lidhje me përfaqësimin e drejt. Megjithatë të gjitha bashkësitë jo-shumicë, duke përfshirë edhe bashkësinë etnike shqiptare, mbeten të nën-përfaqësuara. Përfaqësimi në organet publike ka dallim të dukshëm mes përfaqësimit të bashkësive numerikisht më të vogla dhe përfaqësimit të të gjitha bashkësive jo shumicë në pozitat udhëheqëse.  Korniza e re ligjore për punësimin e nëpunësve administrative (ish nëpunësve shtetëror dhe publik) mund të sjellë disa përmirësime në metodologjitë në lidhje me përfaqësimin e drejt, por këto metodologji nuk vlejnë për të gjitha institucionet. Kompetencat e gjuhës për gjuhët jo-shumicë ende nuk janë vlerësuar në procesin e punësimit dhe ka përpjekje të kufizuara për të rritur kompetencën gjuhësore të administratës në aspekt të kohezionit social në vendin e punës dhe komunikimit me qytetarët. Një numër i konsiderueshëm i të punësuarve nga bashkësitë jo-shumicë ende nuk janë integruar në institucione, por janë pjesë e një mase brenda SIMKO-s duke pritur për transferim në institucione të ndryshme publike. Deri tani nuk ka politika për inkurajimin e ndërmarrjeve nacionale që të miratojnë politika të përfaqësimit të drejt.

Decentralizimi. Republika e Maqedonisë ka bërë hapa të rëndësishëm në drejtim të qeverisjes së decentralizuar, si aspekt i një demokracie dinamike dhe si një faktor kontribues për kohezionin social. Megjithatë, në veçanti decentralizimi fiskal mbetet kritik, dmth hapësira për vendimmarrje të njësive të vetëqeverisjes lokale në përcaktimin e shpenzimeve në bazë të prioriteteve mbetet e kufizuar dhe shpërndarja transparente dhe e barabartë e fondeve për njësitë e vetëqeverisjes lokale akoma është sfiduese. Praktikat aktuale nuk duken të mjaftueshme në promovimin e zhvillimit të balancuar dhe promovimin e dhënies së shërbimeve nëpër komuna. Dallimet në zhvillimin dhe shpërndarjen e granteve dhe burimeve të tjera që kanë të bëjnë me vendbanimet e banuara nga komunitete të ndryshme, mund të kenë ndikim negativ për kohezion social. Mekanizmat e mundshme për dialog dhe pjesëmarrje në shpërndarjen e fondeve nuk janë shfrytëzuar plotësisht”.

Analiza e MKO-së është dokument me 318 faqe me konstatime dhe rekomandime, siç thuhet në dokument, për forcimin e kohezionit social në Maqedoni./portalb


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu