24 eurodeputetë kanë nënshkruar të martën një deklaratë, ku mbështesin nisjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Ata i bëjnë thirrje Këshillit që të miratojë kuadrin negociues për të dy vendet dhe të ndalojë shtyrjen e mëtjeshme të bisedave të integrimit.
“Ne, përfaqësuesit e grupeve politike në Parlamentin Europian, qëndrojmë pas premtimeve të dhëna në Samitin e Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor të Selanikut në vitin 2003 dhe vazhdojmë të mbështesim të ardhmen europiane të Balkanik Perëndimor, gjithashtu shprehur edhe në rezolutën e Parlamentit Europian në tetor të 2019 mbi hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë”, shkruhej në deklaratën e eurodeputetëve.
Ata theksojnë se bllokimi aktual i BE-së ndaj hapjes së negociatave po zbeh besimin e Ballkanit Perëndimor ndaj Bashkimit Europian si dhe po zvogëlon fuqinë dhe ndikimin e BE-së në rajon.
“Një BE gjeopolitike që dëshiron të ketë një ndikim pozitiv dhe të drejtpërdrejtë duhet t’i mbajë premtimet e dhëna. Të dy vendet kanë bërë progres të rëndësishëm në reformat themelore. Të gjithë shtetet anëtare duhet të tregojnë vullnet dhe vendosshmëri për të ardhmen europiane të Ballkanit Perëndimor. Një e ardhme e përbashkët është në interesin e të gjithëve“, lexohej në deklaratën e nënshkruar.
Eurodeputetët i bëjnë thirrje Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut të arrijnë një kompromis mbi çështjet bilaterale dhe të mos vonojnë më tej procesin e integrimit. Ata shkruajnë se Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut duhet të marrin çdo ndihmë të mundshme, përfshirë ndërmjetësimin dhe ekspertizën e jashtme, për të zgjidhur çështjet aktuale.
“Bullgaria duhet të miratojë konferecën e parë ndërqeveritare me Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur, por Maqedonia e Veriut duhet akoma të bëjë çdo përpjekje edhe gjatë dhjetorit për t’i zgjidhur këto probleme“, shkruanin ata. Më tej në deklaratë thuhej se Shqipëria meriton të avancojë në rrugën drejt Bashkimit Europian, “duke nënvizuar përpjekjet gjithëpërfshirëse mbi reformat, në veçanti në fushën e drejtësisë gjatë viteve të fundit dhe vlerësimit pozitiv të Komisionit për këto përpjekje“.
“Nevojitet akoma më shumë punë në disa fusha për përmbushjen e të gjitha kushteve të përcaktuara në konkluzionet e Këshillit. Shtetet anëtare, të cilat aktualisht janë dyshuese për hapjen e negociatave me Shqipërinë, gjithashtu duhet të bëjnë më shumë përpjekje duke punuar me Shqipërinë për adresimin e këtyre shqetësimeve, për të mbajtur më pas konferencën e pare ndërqeveritare“, përfundohej letra e eurodeputetëve ndërsa nxisnin të gjithë palët e përfshira të gjejnë një zgjidhje në mbledhjen e ardhshme të Këshillit për të siguruar që negociatat e pranimit të fillojnë para fundit të vitit.
Thirrjen e eurodeputetëve për të mos shtyrë më tej procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut e ka përshëndetur kryetari i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla.









