Punonjësit e Inspektoratit për Përdorimin e Gjuhëve njoftuan sot në një konferencë për shtyp se nuk kanë marrë pagë për pesë muaj dhe nuk kanë sigurim shëndetësor dhe pensional.
Ata kërkojnë takim me kryeministrin Hristijan Mickoski, ministrat e Financave dhe të Drejtësisë, si dhe Kryetarin e Parlamentit, me qëllim zgjidhjen e kësaj çështjeje, përcjell INA.
“Ne jemi njerëz që punojmë çdo ditë, japim rezultate dhe e çojmë sistemin përpara. Kërkesat tona janë të qarta dhe legjitime. Pagesë urgjente e pagave të prapambetura, riaktivizim i sigurimeve shëndetësore dhe pensionale, ofrim i një zgjidhjeje të përhershme dhe të qëndrueshme për të parandaluar përsëritjen e kësaj situate, si dhe funksionim normal i Inspektoratit. Ne nuk kemi marrë kompensim për punën tonë për gjysmë viti. Përveç kësaj, ne mbetemi edhe pa sigurim shëndetësor dhe pensional, gjë që kërcënon më tej sigurinë tonë dhe sigurinë e familjeve tona. Kjo situatë na sjell në një situatë pasigurie sociale, luftë ekzistenciale dhe poshtërimi absolut si të punës ashtu edhe të dinjitetit të punëtorit”, tha Fitim Ramadani, inspektor i lartë i punësuar pranë këtij Inspektorati.
Ai theksoi se kjo luftë nuk ka motive politike dhe hapi tjetër mund të jetë një protestë nga punonjësit. Në Inspektoratin për Përdorimin e Gjuhëve ka gjithsej 17 punonjës.