Gjatë ditës së djeshme, JOQ.al zhvilloi një sondazh me tetë pyetje mbi emigracionin. Pyetjet kishin të bënin me prirjen e shqiptarëve për t’u larguar jashtë shteti, ku e shohin ata të ardhmen e tyre, çfarë u këshillojnë fëmijëve, etj. Rezultatet po i publikojmë sot, por duke theksuar që komuniteti ynë social, edhe pse ka rreth 2 milionë shqiptarë, nuk mund të merret 100% për bazë.
Le të nisim me përgjigjet:
74% e lexuesve tanë duan të largohen nga Shqipëria, ndërsa vetëm 13% përgjigjen “jo”. Po kaq është përqindja e atyre të cilët janë në dyshim. Pra, gjithsej, në 10 shqiptarë, 9 prej tyre ose duan të largohen nga ky vend, ose po mendohen nëse duhet ta bëjnë këtë. Vetëm njëri thotë “do të qëndroj!”.
Ata të cilët duan të largohen kanë listuar dy arsye kryesore, secila me nga 28% të votave. Papunësia dhe pagat e ulëta vazhdojnë të jenë një shqetësim i madh i popullit tonë, po aq sa qëllimi i tyre për t’u siguruar një jetë më të mirë fëmijëve. Pas këtyre dy alternativave, arsyeja tjetër e dhënë nga lexuesit është se në Shqipëri nuk ndihen të sigurt në asnjë aspekt. Tragjedi, apo jo?
Ndërkohë, kalojmë tek ata të cilët nuk kanë ndërmend të largohen. Arsyeja e tyre kryesore është se nuk duan të lënë njerëzit e afërt (27%) dhe, së dyti, e duan Shqipërinë (24%), vendin ku kanë lindur.
12% e kësaj kategorie votuesish theksojnë se ajo që ua largon dëshirën për t’u larguar është se nuk shohin një mënyrë ideale për ta bërë këtë, kështu që e flejnë mendjen duke pranuar këtë realitet. Së fundmi, brenda kësaj pjese, është interesant fakti që vetëm 5% e votuesve mendojnë se Shqipëria do të ndryshojë.
Pyetja e radhës ishte se çfarë këshille u japin prindërit shqiptarëve fëmijëve të tyre për emigracionin, të largohen apo jo. Përgjigjet janë me të vërtet të dhimbshme. 47% e ndjekësve tanë (më saktë, e njerëzve të cilët kanë votuar në sondazh) kanë klikuar që nuk janë prindër, kështu që llogaritë bëhen për gjysmën tjetër. 79% e 63% të cilët janë prindër shprehen se fëmijëve u thonë të largohen nga Shqipëria, kurse 21% që të mos largohen. Më shkoqur, 8 në 10 prindër i këshillojnë pasardhësit e tyre ta braktisin vendin.
Për sa u përket shteteve ku shqiptarët shohin të ardhmen e tyre brenda pak vitesh, vetëm 6% kanë klikuar “Shqipëri”. Ne i kemi ndarë alternativat në disa grupe dhe më e klikuara është ajo e Evropës perëndimore (Gjermania, Franca, Anglia, Belgjika dhe Zvicra), me 38% të votave. Vendet nordike kanë marrë 18% të votave, ndjekur nga SHBA (15%). Greqia dhe Italia nuk shihen më si vendet ideale për të jetuar (3%).
Një përqindje interesante është ajo e shqiptarëve të cilët mendojnë se janë të aftë për një profesion jashtë shteti. Ata përbëjnë 89% të votuesve. Kjo përqindje është thuajse e njëjtë me atë të pyetjes së parë: në 10 shqiptarë, 9 duan të largohen ose po mendojnë të largohen.
Vazhdojmë më tej! 51% e votuesve të këtij sondazhi janë shprehur se kanë më shumë se dy familjarë në emigracion. Befasuese, apo jo?
Gjysma e familjeve shqiptare i bie që janë të ndara! 27% e tyre, nga ana tjetër, janë shprehur se nuk kanë asnjë emigrant jashtë shteti. Nëse nuk e dinit, mesatarisht, 7 nga 10 familje shqiptare kanë të paktën një emigrant diku nëpër Evropë (apo edhe më larg).
45% e njerëzve të cilët kanë votuar nuk janë emigrantë, kështu që për pyetjen e fundit, “Kur parashikoni të riktheheni në Shqipëri?”, do të merremi me 55% e mbetur.
Nga këto, 35% janë përgjigjur se nuk do të rikthehen asnjëherë. Pra, 35% e 55% emigrantëve votues janë 63%. Shkurt: 6 në 10 emigrantë shqiptarë nuk ka shans që të vijnë në Shqipëri për të rinisur jetën e tyre.
Shifrat janë të pabesueshme, por reflektojnë të vërtetën. Kjo është Shqipëria, vendi i njerëzve “nomadë”, të cilët të ardhmen e shohin kudo, përveçse në vendlindje. /JOQ.al










