Njëri nga krahët e Lëvizjes BESA pritet të përfshihet në Qeveri. Kjo bëhet e ditur nga burime brenda kësaj partie. Kryeministri Zoran Zaev pikërisht pas informacioneve për tronditje brenda kësaj force politike, kishte zvarritur edhe kompletimin e Qeverisë, informon INA.
Ai në disa deklarata kishte lënë për të kuptuar se dikush do ti bashkohej, duke thënë se për çdo kend do të jetë e hapur dera për koalicionim.
Gjasat janë që ofertën për bashkëqeverisje ta pranojnë nga krahu i udhëhequr nga Nexhbedin Kahremani, që kanë tre deputetë dhe që do të krijojnë një stabilitet në maxhorancën aktuale.
Ndërkohë, nuk dihet se si do të veprojë krahu tjetër i Bilall Kasamit, por edhe kjo do të jetë në pikëpyetje, pasi që dy deputetët që i dhanë mbështetje Kasamit vijnë nga Rilindja Demokratike Kombëtare, që u përça dhe që udhëhiqej nga Fadil Zendeli.
Të gjitha këto informacione janë vetëm thashetheme që qarkullojnë në strukturat partiake, por deri tani asgjë nuk do të jetë finalizuese deri në kongreset e ardhshme të caktuara për më 24 shkurt, e që sipas pritjeve, njëri do të mbahej në Shkup, e tjetri në Tetovë, ashtu siç ndodhi me Këshillat Qendrore. (INA)