Zbulohen vrasësit e Oliver Ivanoviçit në Kosovë?

Autoritetet shtetërore në Kosovë kanë arritur të zbulojnë vrasësin e Oliver Ivanoviçit në Mitrovicë. Kështu raportojnë mediat në Prishtinë, duke iu referuar burimeve të tyre në Policinë e Kosovës dhe Agjencinë e Inteligjencës.

Express shkruan se vrasja më enigmatike e viteve të fundit, ajo e Oliver Ivanoviçit, ka mundësi që do të zbardhet shpejt. Institucionet e sigurisë së Kosovës, kanë informata të mjaftueshme për rastin e vrasjes së politikanit serb në Veri të Kosovës.

“Edhe AIK, por edhe Policia e Kosovës, kanë informata për vrasjen dhe për motivet e vrasjes së OIiver Ivanoviçit. Ndoshta edhe më tutje këto informata nuk janë ato të duhurat, sa për të kryer arrestimin, mirëpo pista ekziston. Ekziston rreziku që nëse arrestimet do të kryheshin tani, do të mund të dëmtoheshin hetimet e mëvonshme”, thotë një burim për gazetën Express.

Gazeta shkruan, duke iu referuar burimit, se për këto zhvillime të reja janë informuar udhëheqësit në Kosovë dhe Serbi. Oliver Ivanoviç është vrarë muajin e kaluar para zyrës së partisë së tij politike.

Ai, dy tri ditë para se të vritej, në një intervistë kishte deklaruar që ndjehet i rrezikuar nga serbët. Raportet e Ivanovicit me Qeverinë e Serbisë, edhe me Presidentin Vuçiç, kanë qënë të tensionuara. Këta të fundit e kanë përkrahur Listën Serbe, në kurriz të partive tjera politike serbe ne Kosovë.

Mediat në Serbi kanë raportuar se pak ditë para se të vritej Ivanoviçi i kishte nisur një mesazh telefonik Presidentit Vuçiç, por që nuk kishte marrë kurrfarë përgjigje. Spekulimet për vrasjen e tij dhe për motivet, kanë qenë të shumta./konica


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu