Kush vendos për emrin e një shteti?

Çdo komb vendos për emrin e tij, por ky emër duhet të njihet më pas edhe nga shtetet e Kombeve të Bashkuara. Maqedonia, në rastin më të fundit, e cila po rreket të ketë një emër të ri, vetëquhet Maqedoni, por në OKB ajo identifikohet si “Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”.

Ndryshimet e emrave të shteteve nuk janë të shpeshta, por ndodhin. Mianmar ka zgjedhur të quhet kështu në vitin 1989 nisur nga vendimi i juntës ushtarake që ishte atëhere në fuqi. Më herët ky vend njihej si Birmania. Kombet e Bashkuara pranuan menjëherë emërtesën e re ndërsa Britania e Madhe, e cila e kishte pasur Birmaninë koloni të saj për 100 vjet e ka thirrur gjithnjë me emrin e vjetër. Po ashtu edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe disa kombe të tjera iu deshën shumë vite përpara se të integronin termin Mianmar në dokumentet zyrtare.

Atëherë kush e vendos emrin e një shteti kur ai njihet ndryshe nga vendasit dhe ndryshe nga komuniteti ndërkombëtar?

Kombet e Bashkuara kanë grupe ekspertësh gjithnjë në punë për të hulumtuar emra të rinj gjeografikë dhe politikë. Ata përditësojnë mënyrën sesi këto emra duhet të përdoren, por rregulli i përgjithshëm është që nje shtet të thërritet me emrin me të cilin ai është pranuar si anëtar i OKB-së.

Miamar dhe Birmania tingëllojnë ndryshe por kanë të njëjtin kuptim pasi lidhet me popullsinë të shpërndarë me dendësi më të madhe në rajon. Por ka shtete që njihen me emra që kanë tjetër kuptim nga termi me të cilin ato identifikohen. Shqipëria njihet nga ne vendasit si toka e shqipeve, por nga OKB, vendi ynë njihet si “Albania”, që mendohet që e ka rrënjën nga fjala latine ‘albus, e bardhë ose alpine, ose mbase mund të jetë dhe emri i një fisi qe ka banuar në antikitet në këtë tokë. India njihet në gjuhën vendase si Bharat, emër që ka prejardhjen nga një perandor mitologjik. Ndërsa Maroku për banorët e tij është “Mbretëria e Perëndimit” dhe fjala Perëndim në gjuhën e këtij vendi është Magreb që përkthehet fjalë për fjalë si vendi ku perëndon dielli.


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu