Në prag të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës në mbarë qytetin e Prizrenit, krahas flamurit të Kosovës është vendosur edhe ai i shtetit turk.
Qytetarët e kësaj komune janë revoltuar nga ky veprim i kryetarit të komunës nga radhët e Vetëvendosjes, Mytaher Haskukës, dhe mbrëmë i kanë larguar disa prej këtyre flamujve nga vendet ku janë ngritur në qytet. Express sjell videon nga momenti i heqjes së disa flamujve turq nga rrugët e Prizrenit.
Prizreni konsiderohet si një nga qytetet më me histori të Kosovës, dhe duke pasur edhe numër të madh të banorëve është bërë i rëndësishëm për çdo parti, si burim potencial votash. Madje, për rëndësinë që kishte Prizreni ishte quajtur edhe si Jerusalemi i Partisë Demokratike të Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve.
Kur Vetëvendosja ë zgjedhjet e fundit vendore ia mori pushtetin PDK’së në këtë komunë, ata thanë se “ia morën PDK’së Jerusalemin për ta ndryshuar atë”.
E, sipas disa reagimeve në Prizren, ndryshimi ka nisur në mënyrë interesante, duke kaluar nga “Jerusalemi i PDK’së, në Stambollin e Vetëvendosjes”. Në Prizren tashmë për nder të përvjetorit të dhjetë të pavarësisë së Kosovës, flamujt e shtetit të vendosur në këtë komunë po shoqërohen me flamuj turq.
Por, kjo ka shkaktuar revoltë te disa qytetarë, të cilët tashmë i kanë hequr flamujt turq nga rrugët e qytetit. Ata thonë se nuk mund të pranojnë që në këtë qendër historike të Kosovës, që, mes tjerash shquhet edhe për rezistencën ndaj sundimit osman, bashkë me flamurin e shtetit të Kosovës të valojë edhe flamuri i shtetit që dikur e ka sunduar me vrazhdësi dhe terror.
“Mbremë e largova dhunshëm flamurin turko-osman, të vendosur në një nga rrugët e qytetit të Prizrenit nga kryetari Haskuka – për festen e 10-vjetorit të Pavarsisë”, ka thënë një qytetar i komunës së Prizrenit.
Duhet theksuar se në këtë komunë është numri më i madh i kosovarëve të regjistruar si pjesëtarë të komunitet turk.