Lulzim Basha ka paralajmëruar kryeministrin Edi Rama për protesta masive që do të përfshijnë gjithë vendin derisa të detyrojnë qeverinë të largohet.
Në një takim me përfaqësues të biznesit të vogël, Luzlim Basha deklaroi se nëse qytetarët ngrihen kundër qeverisë si në Kukës, Edi Rama rrëzohet brenda 24 orëve.
Me një retorikë të ashpër kundër qeverisë për taksat dhe krimin, Basha la të kuptohet se mes mazhorancës dhe opozitës nuk ka asnjë hapësirë bashkëpunimi, shkruan Koha Jonë.
Sipas tij, sot vendi drejtohet nga një bandë dhe me bandat nuk ka asnjë mundësi kompromisi dhe nuk kanë vlerë institucionet.
“E vetmja gjë që e ndali traun ishte reagimi i kuksianëve dhe reagimi i shtetit ndaj kuksianëve duke i trajtuar si grup terrorist është pikërisht për të trembur shqiptarët që të mos reagojmë ne të gjithë.
Sepse ata e dinë që po të reagojmë ne të gjithë kjo padrejtësi merr fund. Ky është thelbi, të tjerat janë llafe kot.
Në qoftë se ne çohemi të gjithë për t’i thënë jo padrejtësisë, jo grabitjes, kjo skemë falimenton brenda 24 orësh, kjo bandë bie brenda 24 orësh”, deklaroi dje kreu i Partisë Demokratike. /albeu