Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka thënë se thënë se kryetar i ri duhet të jetë ai që do t’i mposhtë me vota të gjithë liderët e partive tjera, me një diferencë solide votash.
Në Zona B të Klan Kosovës ajo ka deklaruar se nuk pajtohet me idenë që kryetari i ri duhet të jetë patjetër bashkudhëtar i Ibrahim Rugovës, por se duhet patjetër që ai ta ndjekë filozofinë dhe rrugën që ka ndërtuar Rugova.
“Duhet të jetë person që i fiton zgjedhjet. Meqë delegatët e LDK-së janë për një kohë të gjatë në struktura, ata pak a shumë e dinë më kë mund t’i fitojmë zgjedhjet. Kualiteti i kontributit që ai ka dhënë në LDK duhet po ashtu të merret parasysh. Të jetë njeri që mund ta rrisë LDK-në dhe unë mendoj që duhet të jetë person që të sjellë edhe votues të rinj në LDK”.
“Duhet të fitojë bashkëpunimi(mes strukturave dhe elektoratit). Cilido që do të ulet atë ditë nga delegatët duhet të mendojë çka do të ndodhë më pas. Që cilido person që fiton t’i lë pas me vota Kadri Veselin, Ramush Haradinajn, Albin Kurtin, Shpend Ahmetin, e të tjerët”.
“Do të pajtohesha(që kryetari i ri të ketë qenë domosdo mik i Ibrahim Rugovës) sikur të ekzistonte ndonjë formulë për ta vërtetuar qartë kush ka qenë e kush nuk ka qenë(bashkëpunëtor i Ibrahim Rugovës). Mendoj që duhet të shkojmë përtej kush në cilën periudhë ka jetuar. Rugova nuk ka qenë vetëm individ. Ai ka lënë trashëgimi. Ka ndërtuar rrugë – filozofi. Nuk ka rëndësi kush ka fotografi me të”.
“Është esenciale që të ketë garë. LDK duhet që sërish të japë shembull për të gjitha partitë tjera. Nuk besoj që ka ndonjë njeri në LDK që synon procese ku dikujt do t’i mohohet kandidatura. Ne duhet të mendojmë si të ndërtojmë bashkëpunim të mirë”.