Mbrëmë në Tetovë ka ndodhur një incident i rëndë, që mund të ishte fatal edhe me viktima. Rasti ka ndodhur rreth orës 21.45 në rrugën “Strasho Pinxhur”, kur nga ana e pjesëtarëve të policisë ishte ndërmarrë një veprim për arrestimin e një 41 vjeçari me inicialet G.E nga Tetova që kërkohej për vuajtjen e dënimit me burg prej 6 viteve për kryerjen e një vrasje, informon INA.
Policia ka hetuar të shumëkërkuarin që ishte gjetur në një makinë “Volksfagen Passat” si bashkëudhëtar. Patrulla policore ka ndaluar makinën, por shoferi i saj ka rritur shpejtësinë dhe ka goditur punonjësin e policisë në gjurin e djathtë. G.E sa po ka ndalur makina ka nxjerrë pistoletën dhe i ka drejtuar punonjësit të policisë, duke shkrepur një plumb drejt makinës së policisë.
Pas këtij incidenti i shumëkërkuari është arratisur, ndërsa policia ka nisur kërkimet. Njëri nga policët e lënduar është dërguar për ndihmë mjekësore në Klinikën e Tetovës.(INA)