Parlamenti i Maqedonisë për të dytën herë e miratoi Ligjin për marrëveshjen për emrin me Greqinë.
Nga 120 deputetë, 69 votuan pro marrëveshjen, një i përmbajtur dhe asnjë kundër. Ndërsa në sallë nuk ishin të pranishëm deputetët e VMRO-DPMNE dhe partitë e tjera opozitare maqedonase, informon INA.
Ligji ishte rikthyer në Kuvend, pasi i njëjti nuk ishte firmosur nga ana e presidentit Gjorge Ivanov, pas votimit të parë më 20 qershor.
Sipas Kushtetutës, pas votimit të dytë të marrëveshjes, presidenti Ivanov është i obliguar që të firmos marrëveshjen.
Kryeministri Zoran Zaev i bëri thirrje sot presidentit Ivanov që ta firmos marrëveshjen, pasi që do të përballet me ligjin, në rast të refuzimit të saj, ashtu sikur me Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe.
Pas miratimit të marrëveshjes, pritet që të hyjë në fuqi gjatë orëve të ardhshme, ndërsa gjatë këtij muaji do të vendoset edhe data për mbajtjen e referendumit për emrin Republika e Maqedonisë së Veriut. (INA)