Lidhje me Millosheviçin, Berisha: Armiku im më i madh pas Enver Hoxhës!

Pas përplasjes me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi në distancë, ish-kryeministri Sali Berisha ka sqaruar sot në një intervistë për RTV Dukagjini pozicionin e tij lidhur me tezën për ndarjen e Kosovës dhe akuzat e adresuara ndaj tij për lidhje me Slobodan Millosheviçin.

Berisha thotë se u përpoq të bëjë gjithçka kundër ish-liderit të Serbisë që shkaktoi gjenocidin në Kosovë, pasi Millosheviçi ka qenë armiku i dytë më i madh i tij, pas diktatorit Enver Hoxha.

Hashim Thaçi “thumboi” më 4 gusht, Berishën, duke i kujtuar se “Institucioneve të Republikës së Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me votë masive nga skena politike”. Më tej madje e akuzoi për tradhëti, pasi sipas tij ka strehuar Arkanin dhe ka furnizuar me armë Millosheviçin.

“Veçanërisht të atyre që në mes viteve 1992 – 1997 tregtonin dhe bënin që me punët e tyre të pista të mbijetonte makineria ushtarake dhe policore e kasapit të Ballkanit, Sllobodan Millosheviq. Ata duke mbushur xhepat e tyre, u kujdesën me devotshmëri që rezervuaret e tankeve dhe autoblindave të jenë të mbushur plot, përkundër faktit se bashkësia ndërkombëtare kishte vënë sanksione kundër Millosheviqit. Nuk i duhen këshillat e atyre që strehuan Bin Ladenin, vrasësin e civilizimit botëror si dhe Arkanin, vrasësin e shqiptarëve të Kosovës. Nuk i duhen këshillat e atyre që burgosën komandantin legjendar Adem Jashari, si dhe komandantë të shquar si Fehmi e Xhevë Lladrovci, Zahir Pajazit, dhe UÇK-në e etiketuan si terroriste”, shprehej Thaçi në reagimin e tij.

Por Berisha ka deklaruar sot se “në vitet 92 – 97’, Shqipëria, në një përballje të fuqishme në arenën diplomatike botërore mposhti Serbinë në mënyrën më përfundimtare dhe në këtë kontekst, në jetë mbas viteve 90 dy armiq kam pasur”.

“Njëri ishte Enver Hoxha dhe enveristët sepse atyre ju shemba pushtetin, bashkë me bashkëpunëtorët e mi dhe popullin shqiptar, parajsën që kishin ndërtuar mbi ferrin e shqiptareve dhe Sllobodan Millosheviçi, i cili e pa veten të humbur në çdo forum ndërkombëtar me dokumenta dhe ligje ndërkombëtare. U përpoq të bënte gjithçka ndaj meje sikur unë u përpoqa të bëj gjithçka ndaj tij. Kjo është e vërteta. Tani një nga ato përpjekjet e tij ishin shpifjet dhe shpikjet për Bin Ladenin sepse duhej që Shqipëria, për shkak të besimit fetar të racizmit te tyre ndaj myslimanëve, të paraqitej si një strofull”, tha Berisha.

Sa i përket akuzave të Thaçit për një takim me Arkanin, Berisha theksoi se s’ka zhvilluar kurrë takim me asnjë serb, “asnjëherë, përveç takimeve ndërkombëtare”.

“Ky është vetëm një trillim i kuzhinës së shërbimeve të fshehta serbo- shqiptare qe bashkëpunojnë bashkë. Arkani të strehohej, po pse të strehohej Arkani, Arkani vriste e priste në Kosovë, pse, si do strehohej Arkani? Kurrën e kurrës. Kurrë ndonjëherë. E kam dëgjuar për herë të parë këtë shpifje, mund të ketë 5-6 vjet, që i është thënë kjo gjë dikujt, dhe unë kam ngel ë.., kurrë s’mund të vinte. Ai ishte njeriu më gjakësor në Kosovë. Duhet të jesh shumë naiv dhe të mendosh se ai mund të kërkonte shpëtim në Shqipëri ose strehë në Shqipëri”, tha ish-kryeministri shqiptar./shqip


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu