Komisioni i Punëve të Jashtme i Parlamentit Evropian miratoi raportin e raportuesit Ivo Vajgl për Maqedoninë. Votimi ka qenë pothuajse unanim, 47 vota “për”, nëntë “kundër” dhe një i përmbajtur. Me këtë rekomandim mbështetet hapja e bisedimeve me BE-në në qershor të vitit 2019.
Raporti duhet të miratohet në seancën plenare në Parlamentin Evropian gjatë muajit nëntor. Varësisht nga zhvillimi i gjendjes politike në Maqedoni deri atëherë është lënë e hapur mundësia e miratimit të amendamenteve plotësuese.
Raportuesi Ivo Vajgl paraqiti një amendament shtesë pas referendumit më 30 shtator duke deklaruar se nevojitet mbështetje shtesë për të ardhmen euroatlantike të vendit dhe ratifikimin e marrëveshjes së Prespës. /SHENJA