Ivanov: Deputetët vepruan kundër vullnetit të popullit

Presidenti, Gjorge Ivanov, ka shfrytëzuar Ditën e Kryengritjes Revolucionare për të kritikuar Kuvendin dhe deputetët që votuan “pro” nisjes për ndryshimet kushtetuese.

Sipas tij, deputetët kanë vepruar në kundërshtim me vullnetin e popullit.

“Në referendumin e mbajtur më 30 shtator, populli me mosvotim është deklaruar kundër zgjidhjeve të përshpejtuara dhe të dëmshme, pa u arritur paraprakisht konsensus nacional. Në referendum populli e shprehi vullnetin e tij sovran dhe pa mëdyshje e hodhi poshtë Marrëveshjen e Prespës. Kuvendi i Republikës së Maqedonisë atë patjetër është dashur që ta marrë parasysh, por shumica e të zgjedhurve të popullit veproi kundër vullnetit të popullit. Populli gjithmonë i kujton të guximshmit, ndërkaq historia i përçmon të frikësuarit dhe të korruptuarit. Pa respekt ndaj të kaluarës, pa identitet dhe vetëdije nuk ka të tanishme me prosperitet, por as do të ketë ardhmëri më të mirë”,- thekson presidenti Ivanov.

Në linjë të kundërt ishte mesazhi i kryeministri, Zoran Zaev, sipas të cilit duhet të mësojmë nga historia dhe të ecim me forcë dhe guxim drejt së ardhmes.

“Patriotizmi është kur t’u ndërtosh rrugën brezave të ardhshëm, duke bërë shtet i cili është i njohur nga të gjithë, siç aspironin dhe themeluesit e luftës revolucionare, shtet nga i cili do të jemi krenarë”- theksoi kryeministri Zaev.

Ndërsa në mesazhin e kryeparlamentarit, Talat Xhaferi, thuhet se “kjo ditë duhet të na kujtojë se në jetë çdo ditë është luftë, luftë për jetë më të mirë, luftë për ndërtimin e një shoqërie më të mirë dhe më të shëndoshë, luftë për stabilitet politik, për shtet të zhvilluar ekonomik, me ardhmëri të ndritur, për një shtëpi të sigurt për të gjithë qytetarët tanë”. (Fitim Kryeziu, TVM2)


PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu