Të martën do të dihet nëse Parlamenti do t’ia heq mandatin deputetit Nikolla Gruevski, i cili u dënua me dy vjet burg për skandalin e blerjes së Mercedesit. Kjo pikë e rendit të ditës është theksuar në faqen e internetit të Kuvendit për nesër në orën 12:00.
Anëtarët e grupit të pavarur parlamentar të VMRO-DPMNE-së, të premten kanë thënë se nuk do të votojnë për revokimin e mandatit të ish-liderit të VMRO-DPMNE-së.
Të premten, Gjykata Penale njoftoi se një gjykatës për zbatimin e sanksioneve kishte hedhur poshtë kërkesën e Gruevskit për shtyrjen e dënimit.
Gruevski u shpall fajtor dhe u dënua me dy vjet burg më 23 maj në procesin gjyqësor “Tanku”. Në këtë rast edhe ish-ministrja e Brendshme, Gordana Jankulloska u dënua me gjashtë vjet burg. /SHENJA