Ish nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Luisa Morgantini deklaroi se bllokada izraelite ndaj Gazës paraqet turp të vërtetë për gjithë njerëzimin.
“Izraeli kryen krime çdo ditë dhe duhet të nxirret para Gjyqit Ndërkombëtar të Drejtësisë, sepse më shumë se 50 vite mban nën pushtim territorin palestinez”, tha ish nënkryetarja e PE-së, Morgantini.
Politikanja italiane në një prononcim për Anadolu Agency (AA) shprehu shpresën se komuniteti ndërkombëtar do të arrijë të vendosë paqe dhe t’i japë fund masakrës ndaj banorëve të enklavës palestineze, Gaza.
Duke theksuar se situata e tanishme është turp për mbarë komunitetin ndërkombëtar, Morgantini tha se është e papranueshme që Izraeli të paraqitet si viktimë dhe të mos hetohet për krime.
“Shpresoj se komuniteti ndërkombëtar do të mund të ndryshojë qasjen dhe të dëgjojë nevojat e palestinezëve. Konsideroj si të domosdoshëm bashkimin e palestinezëve dhe të mos lejojnë Izraelin të luaj me ta në saje të përçarjes së tyre”, tha Morgantini.
Ajo akuzoi Izraelin për ndërtimin e një shoqërie me një nacionalizëm të rritur, racizëm dhe diskriminim.
Morgantini veçanërshit kritikoi politikën e keqe të kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu, të cilin e konsideron si fajtorin kryesor për zvarritjen e procesit të paqes në Lindjen e Mesme.
“Mendoj se Netanyahu është e keqja më e madhe që ka mund t’u ndodhë Izraelit dhe palestinezëve”, ka thënë Morgantini.
Në fund ajo tha se nuk është e sigurtë nëse largimi i Netanyahut nga pushteti do të ndryshojë situatën në terren, dhe i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të intervenojë që palestinezët përfundimisht të bëhen një popull i lirë.
“Komuniteti ndërkombëtar duhet të dëgjojë edhe zërin e izraelitëve të cilët kundërshtojnë pushtimin dhe konsiderojnë se kjo është e dëmshme edhe për Izraelin”, përfundon Morgantini.